Gjykata e Posaçme ka kërkuar rikualifikim të akuzave ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në lidhje me dosjen e sterilizimit. Në seancën e zhvilluar këtë të hënë, gjykata ka propozuar që Beqaj të gjykohet për “vjedhje, shpërdorim detyre dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal”. Aktualisht, ai akuzohet vetëm për shpërdorim detyre.
Ndryshime në akuza janë kërkuar edhe për ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrepaj, dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Gjatë seancës, Rrapaj humbi ndjenjat pas njoftimit për rëndimin e akuzave.
Në mbrojtje të tij, Beqaj ka mohuar të gjitha akuzat, duke pyetur hapur në gjykatë: “Ku janë paratë që kam vjedhur?”.
Prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili kanë pranuar të shqyrtojnë ndryshimet në akuza të kërkuara nga gjykata, por kanë mbështetur gjithashtu akuzat e mëparshme të SPAK si të bazuara. Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar për datën 9 janar, ndërsa avokatët mbrojtës kanë kërkuar më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen.
Aktualisht, Ilir Beqaj po hetohet nën masën e “detyrimit për paraqitje” për këtë dosje, por ndodhet në burg për një çështje tjetër që lidhet me abuzimin e fondeve të Bashkimit Europian gjatë kohës që ishte drejtor i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAK).
Beqaj është arrestuar më 4 korrik së bashku me Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollaj dhe përballet me akuza për korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë, mashtrim dhe shkelje të barazisë në tendera. Ai ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit që e mban ende në burg.
