Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar ndarjen e 100 mandateve të deputetëve për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Sipas informacionit të siguruar nga Klan News, në relacionin e KQZ-së, ka pasur disa ndryshime në numrin e mandateve për disa zona zgjedhore.
Një prej ndryshimeve kryesore është rritja e numrit të mandateve për Tiranën, ku zgjedhësve të kryeqytetit do t’u jepen tashmë 37 deputetë, një më shumë se 36 që ishin deri më tani. Ky ndryshim ka për qëllim të pasqyrojë rritjen e popullsisë në këtë zonë dhe nevojën për më shumë përfaqësim.
Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, Korçës i është hequr një mandat, duke u zvogëluar nga 11 mandate në 10 për zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, zonat e tjera zgjedhore nuk do të preken dhe do të ruajnë numrin aktual të mandateve.
Ndarja e mandateve për deputetët e rinj është realizuar duke u bazuar në shpërndarjen e popullsisë në çdo zonë zgjedhore. Ky propozim tashmë do të shqyrtohet nga Komisioni Rregullator për zgjedhjet për t’u miratuar përfundimisht.