Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka rrëzuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj magjistrates Besiana Sadikaj, me detyrë Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
“Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor rezultoi se veprimet e magjistrates B. S. në marrëdhënie me drejtuesin dhe anëtarë të personelit të administratës gjyqësore përbëjnë sjellje të padenja, të pahijshme, pa vetëpërmbajtje, në kundërshtim me Standardet e Etikës e në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia. Shkeljet e konstatuara nuk lidhen me veprimtarinë e saj profesionale, e mund të jenë të rëndësishme vetëm me qëllim vlerësimin etik dhe profesional të saj, por janë të natyrës, që magjistratja duhet të mbajë përgjegjësi disiplinore.
Në raportin hetimor të ILD-së vërehet se qëllimi thelbësor i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik nëpërmjet deklarimit të përgjegjësisë disiplinore të magjistratit dhe marrja e masave aktive për edukimin e magjistratit, nëse një gjë e tillë është e mundur. Masa disiplinore përmbush edhe dy qëllime parandaluese: 1- parandalimin e posaçëm, pra që magjistrati në të ardhmen të mos kryejë më shkelje disiplinore; dhe 2- parandalimin e përgjithshëm, d.m.th. që magjistratët e tjerë të kuptojnë, se një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, pasi është e ndëshkueshme me masë disiplinore.
Duke pasur parasysh natyrën e shkeljes disiplinore dhe ekzistencën e rrethanës lehtësuese, si shkelje për herë të parë, përvojën e pakët 2 vjeçare të magjistrates në funksionin e prokurores, ILD konkludon se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga magjistratja B.S., përbëjnë “Shkelje të lehtë disiplinore” dhe i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj prokurores B.S., për shkeljen disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 2 shkronja “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kërkesa u rrëzua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, thuhet në njoftim.
