Kina vendosi sot sanksione ndaj 20 kompanive amerikane, të lidhura me mbrojtjen dhe 10 drejtuesve të tyre, një javë pasi Uashingtoni njoftoi një paketë të madhe shitjeje armësh për Tajvanin, sipas AP.
”Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve të kompanive në Kinë dhe ndalimin e individëve dhe organizatave për të bërë biznes me to”, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.
Mes kompanive të sanksionuara janë “Northrop Grumman Systems Corporation”, “L3Harris Maritime Services” dhe “Boeing” në St. Louis.
Ndër drejtuesit e sanksionuar është edhe themeluesi i “Anduril Industries , Palmer Luckey, i cili nuk mund të bëjë më biznes në Kinë dhe i është ndaluar hyrja në vend; asetet e tij atje janë ngrirë gjithashtu.
Paketa amerikane e shitjes së armëve, me vlerë mbi 10 miliardë dollarë, ka shkaktuar reagim të ashpër nga Pekini, i cili e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij dhe këmbëngul se ishulli duhet të vihet nën kontrollin kinez.
Nëse miratohet nga Kongresi amerikan, ajo do të ishte paketa më e madhe ndonjëherë e armëve amerikane për territorin vetëqeverisës.
“Rikujtojmë edhe një herë se çështja e Tajvanit është në thelb të interesave thelbësore të Kinës dhe përbën vijën e parë të kuqe që nuk duhet kaluar në marrëdhëniet Kinë–SHBA”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme kineze.
“Çdo kompani ose individ që angazhohet në shitje armësh për Tajvanin do të paguajë çmimin për këtë shkelje”, shton deklarata.
Ministria i bëri thirrje gjithashtu SHBA-së të ndalë, siç i quajti ajo, “lëvizjet e rrezikshme të armatosjes së Tajvanit”.
Tajvani mbetet një nga pikat më të nxehta të tensionit në marrëdhëniet SHBA–Kinë, për të cilat analistët paralajmërojnë se mund të përshkallëzohen në konflikt ushtarak mes dy fuqive.
Kina pretendon se shitjet amerikane të armëve për Tajvanin shkelin marrëveshjet diplomatike mes Pekinit dhe Uashingtonit.
