Kina po përgatit një projekt të ri për të lëshuar në hapësirë. Janë 2800 satelitë të cilët do të jenë të pajisur me Inteligjencë Artificiale në bord dhe do të mund të punojnë si një superkompjuter hapësinor, të lidhur me njeri-tjetrin dhe të ushqyer me panele fotovoltaike.
Projekti Star Computing aktualisht cilësohet si më i avancuari ndër projektet analoge, që kanë për qëllim përdorimin e superkompjuterave dhe Inteligjencë Artificiale në hapësirë, sfidë kjo e ndërmarrë aktualisht edhe nga Evropa dhe SHBA.
Pushtimi i hapësirës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm nga superfuqitë botërore, me qëllim primar shfrytëzimin për telekomunikacionet.
Aktualisht, Kina ka lëshuar në orbitë 12 satelitë me superkompjuter, e që janë në gjendje të kryejnë 744 milionë operacione në sekond, ose 744 teraflop, dhe një memorje prej 30 terabyte.
Aftësia e kalkulimit është shumë herë më e lartë në krahasim me atë që kanë kompjuterat që ndodhen aktualisht në satelitët që janë lëshuar deri më sot e që vijojnë të jenë në orbitë.
Objektivi është reduktimi i sasisë së të dhënave që duhet transmetuar në Tokë, pasi imazhet e shkrepura nga satelitët do përpunohen në bord të sateliteve, për të mos mbingarkuar datacenter.
Ndërkohë që, qëllimi përfundimtar i projektit është të arrijë në një fuqi përpunimi dhe kalkulimi prej një mijë petaflop, ose pak më pak se gjysma e superkomputerit më të fuqishëm në Tokë aktualisht, dhe pa shpenzuar energji nga Toka.