Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim garantoi sot se, “SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike.
Gjatë konferencës me temë “Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri”, ambasadorja Kim theksoi se, sulmet kibernetike të Iranit në Shqipëri, aleatit tonë në NATO, janë të rrezikshme, dashakeqe dhe janë janë kërcënim për shtetin dhe popullin shqiptar”.
“SHBA nuk do të hezitojë t’i përgjigjet me forcë aktorëve keqdashës kibernetikë kur veprimet e tyre kërcënojnë SHBA-në ose aleatët dhe partnerët tanë”, tha Kim.
Ambasadorja u shpreh se, Shtëpia e Bardhë dënoi ashpër sulmin e Iranit dhe shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë përballë këtij sulmi.
“Duke filluar nga muaji korrik, SHBA kanë dërguar vazhdimisht ekspertët e sigurisë kibernetike për të punuar së bashku me homologët shqiptarë për të identifikuar dobësitë dhe kërcënimet ekzistuese”, u shpreh ajo.
Ambasadorja u shpreh se, SHBA dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet më të mëdha të mbrojtjes kibernetike që arrin në 50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe ky është vetëm fillimi.
“Ju nuk jeni vetëm në të qenit të sulmuar dhe sigurisht nuk jeni vetëm në këtë përgjigje. SHBA janë me ju. Janë 50 milionë dollarë në mbështetje kundër sulmeve kibernetike të Shqipërisë dhe ky është vetëm fillimi. Ne kemi qenë duke punuar së bashku me sektorin e mbrojtjes për të forcuar këtë sektor me 25 milionë dollarë mbështetje. Ky është fillimi i asistencës”, tha ajo.
Ambasadorja theksoi se SHBA kanë punuar përkrah Shqipërisë për një përgjigje të gjerë ndërkombëtare duke filluar me aleatët e NATO-s dhe partnerët e tjerë të ngushtë.
“SHBA ofron mbështetje për sigurinë kibernetike për sektorin energjetik të Shqipërisë. Ndihma e SHBA-së nuk është e kufizuar në mjete dhe pajisje apo programe kompjuterike por ne po zgjerojnë trajnimet e ekspertëve shqiptarë dhe po punojmë ngushtë edhe me sektorin privat. Ne nuk mund të zëvendësojmë mbrojtjen tuaj, por do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’u siguruar që ju të mbroni veten”, tha ajo.
Kim theksoi se hapat që SHBA dhe Shqipëria kanë ndërmarrë së bashku janë domethënëse dhe do të vazhdojnë.
“Sulmet kibernetike do të vazhdojnë të jenë kërcënim i vazhdueshëm edhe në vijim , duhet të mbështesim njeri- tjetrin në këtë sfidë globale”, shtoi ajo.

