Natyra dhe mrekullia e saj arrin të na dhurojë emocione dhe habi me pushtetin e saj. Dhe Toka është e mbushur me surpriza, e një ndër to, është padyshim Ujëvara nën Detare në Mauritius.
Ky fenomen kaq sugjestionues në Oqeanin Indian vërehet në ekstremitetin e quajtur Morne Brabant, por mund të admirohet nga qielli. Dhe nuk është vërtet një ujëvarë nënujore, por një iluzion optik real, që ekziston vërtet, por nëse ndryshohet këndvështrimi, nuk është më i dukshëm.
Ky fenomen natyrisht ka një shpjegim shkencor, pasi ndodh si pasojë e një variacioni të thellësisë së tabanit oqeanik dhe depozitave ranore që gjenerohen për shkak të rrymave të thella nënujore. Gjithë kësaj, i shtohet edhe ngjyra e ndryshueshme e ujërave, me të gjitha sfumaturat e jashtëzakonshme të blu-së e së gjelbrës, që krijohen si pasojë e pranisë së mikroorganizmave në mineralet ranore.
Ujëvara e jashtëzakonshme është e dukshme edhe nga satelitët, pranë peizazhit të mrekullueshëm të gadishullit të vogël që ka një lartësi maksimale prej 556 m, i rrethuar nga një bollëk e gjelbërim i pasur, dhe ujëra të kaltërta e rërë të bardhë.

Nga Mauritius, në anën tjetër të botës, në Bolivi, natyra mrekullon duke i dhënë jetë një prej pamjeve më spektakolare në planetin Tokë. Në 3600 m lartësi, ndodhet sipërfaqja më e madhe e kripës, që shtrihet në një sipërfaqe prej 10500 km².
Rreth 40 mijë vjet më parë, kjo shkretëtirë kripe ishte një liqen, që për shkak të avullimit, u tha plotësisht duke lënë pas vetëm strukturë minerare të pashoqe. Sot shkretëtira është një destinacion turistik unik për veçantinë, dhe mund të admirohet në dy forma: në stinën e shirave, ku një shtresë uji prej disa cm mbulon gjithë sipërfaqen e pafundme, duke krijuar një pasqyrë Tokë-Qiell surreal.
Ndërsa në stinën tjetër, është një kripore e bardhë gjigande e pafundme, që reflekton rrezet e diellit duke u kthyer në bardhësi verbuese. Është e krijuar nga rreth 11 shtresa kripe, me trashësi nga 2-10 m secila. Korja sipërfaqësore është e thellë 10 m, por kripa gjendet deri në 120 m thellësi, dhe mendohet se sasia e kripës së depozituar aty është mbi 10 mijë milionë ton.

Magji për sytë konsiderohet padyshim edhe Lake Hillier, që shpesh me të dëgjuar duket si legjendë. Ndër fenomenet e pazakonta që ofron një ndër panorama më të mrekullueshme në planet për ujin me ngjyrë rozë, ky liqen i jashtëzakonshëm gjendet në arkipelagun Recherche në Australi.
Me një gjatësi prej rreth 600 m, është i rrethuar me rërë dhe pyje eukaliptesh që e ndajnë nga ngjyra blu e oqeanit. Kjo ngjyrë e theksuar rozë, ka ngjallur kureshtjen e shkencëtarëve për të kuptuar arsyet, dhe shpjegohet se vjen si pasojë e algave dhe baktereve që gjenden në të e i japin pigmentin rozë të theksuar. Ky liqen, ndër të tjera, ka dhe një tjetër veçanti, pasi ka përmbajtje shumë të lartë të kripës, çka e bën të krahasueshëm me Detin e Vdekur.

Në tokë është edhe një tjetër, por Hillier është më rozë ndër ta. Liqeni tjetër rozë ndodhet në Senegal, liqeni Retba ose Lac Rose, i njohur për veçantinë e ngjyrës së tij.