Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme, më 1 tetor, një sërë vendimesh me rëndësi për zhvillimin ekonomik, social dhe infrastrukturor të vendit.
Vendimet përfshijnë krijimin e shoqërisë së re të transportit publik, kompensime për pronarët e tokave të prekura nga legalizimet, investime në hekurudhë, si dhe ndryshime në përbërjen e disa institucioneve qendrore.
Pesë vendimet e Këshillit të Ministrave
1. Krijimi i shoqërisë aksionare “Mobal” sh.a.
Kështu, qeveria miratoi ngritjen e një shoqërie të re aksionare me emrin “Mobal” sh.a., e cila do të ofrojë shërbime të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë linjat drejt zonave turistike. Ky hap synon modernizimin dhe zgjerimin e shërbimeve të transportit publik në vend.
2. Kompensime për pronarët e prekur nga ndërtimet e legalizuara
Një fond prej mbi 1.1 miliard lekësh është miratuar për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, të prekura nga ndërtimet e legalizuara. Kompensimet përfshijnë zona në të gjithë vendin.
” Kompensimet përfshijnë pronarët në zonat që mbulohen nga drejtoritë vendore të ASHK-së: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Rurale 1 e 2, Elbasan, Zonat e Stimuluara, Shkodër, Korçë, Lezhë, Sarandë, Kamëz-Vorë, Pogradec, Lushnjë, Fier dhe Vlorë.”, thuhet në njoftimin e Agjencisë për Media dhe Informim.
Vlera totale e kompensimit arrin në 1 miliardë e 122 milionë e 355 mijë e 400.75 lekë.
3. Rregulla të reja për kontrollin e produkteve organike të importuara
U miratuan rregulla të reja që përcaktojnë kushtet, masat dhe procedurat për inspektimin e produkteve organike të importuara, në përputhje me ligjin e ri “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.
4. Marrëveshje financimi me BERZH për hekurudhën Durrës–Rrogozhinë
Qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e fazës së parë të projektit hekurudhor Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, një projekt kyç për përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore.
5. Emërime të reja në institucione qendrore
Në mbështetje të ligjit për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, u emëruan anëtarë të rinj në këshillin drejtues të këtij fondi:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi emërimin e anëtarëve, përfaqësues të pushtetit qendror, në këshillin drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si më poshtë vijon:
Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
Ana Kapaj, Zëvendësministre e Arsimit
Ndërkohë, janë bërë edhe ndryshime të tjera në nivelet drejtuese:
Miriam Shyti emërohet zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Endrit Yzeiraj lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet zëvendësministër i Financave
Erjona Bejleri lirohet nga detyra si zëvendësministre e Financave