Energy energji 696x464

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nis bashkëpunimin me kompaninë malazeze të energjisë CGES/OST për balancimin e energjisë.

Ky bashkëpunim do të lejojë që Shqipëria dhe Mali i Zi të shkëmbejnë energji dhe informacion në kohë reale, që është thelbësor për garantimin e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike të të dy vendeve.

“Ky hap i rëndësishëm është dëshmi e përkushtimit dhe vizionit tonë për të forcuar më tej integrimin rajonal në energji, duke i dhënë KESH një rol të ri si partner i besueshëm dhe strategjik në rajon’, bëri të ditur KESH.

Shqipëria synon të pozicionohet si një lider rajonal në prodhimin dhe eksportimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.

Sipas programit të ri të qeverisë, miratuar në Kuvend, vendi do të shtojë kapacitetet e prodhimit nga burime të rinovueshme çdo vit, duke arritur një total prej 1500 MW deri në vitin 2030.

Një nga projektet kryesore është ndërtimi i parkut më të madh eolik në Tropojë, me kapacitet prej 600 MW.

Për të forcuar lidhjet rajonale, qeveria planifikon ndërtimin e lidhjeve të reja të interkoneksionit me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, dhe Kosovën. Po ashtu planifikon të nisë ndërtimin e linjës së re nënujore Shqipëri-Itali për integrim të plotë në tregun europian të energjisë.

Investimet në vitet e fundit kanë bërë të mundur dyfishimin e kapaciteteve energjetike, nga 1768 MW në 3298 MW, si dhe uljen e humbjeve në shpërndarje nga 50% në 17%.

Në fushën e burimeve të rinovueshme, Shqipëria ka bërë hapa para në linjë me politikat europiane për integrimin e burimeve të rinovueshme. Centrali fotovoltaik i Karavastasë me kapacitet 140 MW është sot investimi më i madh i këtij lloji në vend, ndërkohë që janë shtuar 1300 MW kapacitete të reja nga burimet diellore dhe burime të tjera të gjelbra.

Si rezultat, 10% e energjisë së prodhuar sot vjen nga fotovoltaikët, duke diversifikuar burimet, ulur varësinë nga hidrocentralet dhe klasifikuar sistemin energjetik ndër më të qëndrueshmit në nivel global.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights