Këtë të martë, 24 shkurt, po mbahet seanca gjyqësore në Apelin e Posaçëm, për shqyrtimine ankimit të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, sa i takon masës së “arrestit me burg” ndaj tij.
Veliaj (i cili është i pranishëm në sallë) kundërshton vendimin e marrë më 1 shkurt nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila ka argumentuar se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për mbajtjen në fuqi të masës më të rëndë të sigurimit personal.
Sipas argumenteve të paraqitura nga mbrojtja, situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, çka sipas tyre përjashton rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre.
Do të jetë gjyqtarja Nertina Kosova ajo e cila do të shqyrtojë argumentet e palëve dhe më pas do të marrë një vendim
Tre gjyqtarë (përcaktohen me short elektronik) do të gjykojnë kreun e bashkisë më të madhe në vend, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, biznesmenin Elman Abule, të pandehur të tjerë, si dhe subjekte juridike, që do përballen me GJKKO-në, në një gjyq publik. Janë 18 persona fizik dhe pjesa tjetër janë shoqëri, që përballen me akuza për pastrim parash.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Ndërkohë, studiot e huaja ligjore në mbrojtje të Veliajt, Kasowitz dhe Mishcon de Reya, pretendojnë se ai po përballet me një persekutim të qartë politik.
