Deputeti i Partisë Demokratike në grupin e “Rithemelimit”, Belind Këlliçi paralajmëroi sot padi të tjera në ngarkim të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe qeverisë për sa i takon dosjes së inceneratorëve.
Përmes një deklarate për mediet, Këlliçi publikoi një email të shkëmbyer mes punonjësve të kompanisë në pronësi të Klodian Zotos, Zoto Consulting.
“Më 3 mars 2022, tre muaj pasi Farudin Arapi ishte caktuar Administrator Shtetëror, i Integrated Technology Services, kompanisë tashmë famëkeqe të inceneratorëve, mes punonjësve të kompanisë tjetër të Klodian Zotos, Zoto Consulting, shkëmbehen e-maile që dëshmojnë hapur se, ashtu si inceneratorët ishin një skemë e pastër e qeverisë, edhe përcaktimi i Administratorit Shtetëror ishte pjesë e kësaj skeme”, thekson Këlliçi.
Ish-kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se “nga ky komunikim faktohet se Farudin Arapi ka vizituar zyrat e Zoto Consulting për të arritur një akord të përbashkët për strategjinë që do ndiqej në përballjen me Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, të kërkuar dhe të ngritur nga opozita”.
“Gjëja e parë që bie në sy në këtë e-mail është se, nuk janë punonjësit e firmës së sekuestruar që shkojnë tek Administratori Shtetëror, por është ky që shkon te vartësit e Klodian Zotos. Është e qartë pra se, loja luhet në fushën e të dyshuarve, e jo të kontrollorëve”, vijon Këlliçi.
“Por ajo që përbën një dhunim flagrant të rregullave dhe hedh baltë mbi Parlamentin e Shqipërisë si organi më i lartë në vend, është se janë punonjësit e kompanisë së sekuestruar që “i sugjerojnë” Administratorit Shtetëror se çfarë dokumentash duhet të dorëzojë para Komisionit Hetimor Parlamentar”, thekson Këlliçi.
“Për dokumentet që kërkohen nga Komisioni Hetimor Parlamentar, punonjësi i Klodian Zotos, Laert Zifla, i sugjeron Administratorit Shtetëror, që të japë një përgjigje evazive, pasi prevalon hetimi penal”, tha ai.
“Për hatër dhe në favor të Klodian Zotos, tashmë i dënuar nga drejtësia për aferën e Inceneratorëve, Administratori i Shtetit, Farudin Arapi, pranon kështu se do të mashtrojë ose keqdrejtojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhur me votën e qytetarëve. Ajo që dihet dhe kuptohet qartë është se Farudin Arapi nuk e shkel etikën dhe ligjin për hatër të Klodian Zotos dhe as punonjësve të tij. Ai e bën këtë sepse ka marrë direktiva nga lart dhe për këtë arsye është caktuar në këtë rol”, përfundoi Këlliçi.