Demokrati Belind Këlliçi, i cili prezantoi programin e Partisë Demokratike nga Pallati i Kongreseve, u shpreh se “do të shembet instalacioni pa leje në Kryeministri, Edi Ramën”.
Këlliçi u shpreh në fjalë të tjera se e gjithë kjo do të ndodhë vetëm falë votës së shqiptarëve për Partinë Demokratike, por dhe denoncimeve të kësaj force politike në institucionet e drejtësisë.
Referuar kësaj të fundit, demokrati kujtoi se Partia Demokratike ka bërë denoncime të shumta, si ajo e “5D”, por dhe asaj që ai e quajti si “kështjella me rërë e Bashkisë Tiranë”, për ta lidhur kështu me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Askush nuk më besoi dy vite më parë kur nisa rrugëtimin për çmontimin e grupit të strukturuar kriminal në Bashkinë Tiranë, të drejtuar nga Erion Veliaj. Shumëkush qeshi, shumëkush tha tërhiqu, shumëkush ishte cinikë e mosbesues, të tjerë madje kërcënuan. Por, ja ku jam përpara jush, pas dy vitesh, me një zotim të mbajtur. Sot ju premtoj se, ashtu siç çmontuam kështjellën e rërës në Bashkinë Tiranë, e cila zuri nën vete tigrin prej letre Erion Veliaj… nën drejtimin e Sali Berishës, me këtë program qeverisës të shkëlqyer, me votën tuaj, me besimin në Zot e në familje, ne do të shembim përfundimisht instalacionin pa leje në Kryeministri, që quhet Edi Rama.”, tha Këlliçi.
Lidhur me programin e Partisë Demokratike, Këlliçi tha se do të ketë minimumin jetik prej 200 euro, paga minimale 500 euro ndërsa ajo mesatare 1200 euro, shëndetësi dhe arsim dinjitoz.
“Pa asnjë dyshim që ndërhyrja e parë, emergjente dhe e drejtpërdrejtë është Paketa e Emergjencës. Nuk mund të flasim për rritje ekonomike dhe turizëm ndërkohë që pensionistët, familjet e reja, të rinjtë jetojnë në kufirin e varfërisë dhe pabarazia sociale është e skajshme. Masa e parë është miratimi i minimumit jetik prej 200 eurosh, i cili garanton se çdo pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike respekton dinjitetin njerëzor. Paga minimale 500 euro, siguron çdo të ri apo punëtor në punët më të vështira se mund dhe duhet të ketë një shpërblim të denjë për djersën e vet. Paga mesatare 1200 euro, i jep profesionistit në sektorin publik apo atë privat statusin që meriton dhe shanset reale për të mundësuar banim dhe mirëqenie për familjen e tij. Çmimi i energjisë 7 lekë/Kw u mundëson qytetarëve të vendit me burime të mëdha hidrike që të paguajnë një çmim të drejtë, përkundër zhvatjes qeveritare të deritanishme. Partia Demokratike angazhohet të rimëkëmbë sistemin shëndetësor. Dyfishimi i buxhetit për shëndetësinë, sepse asnjë sistem shëndetësor serioz nuk mund të ngrihet mbi keqfinancim dhe mungesë të bazës materiale elementare. Krijimi i një modeli të ri sigurimesh shëndetësore, që ofron më shumë mundësi dhe konkurrencë për pacientët. Zgjerimi i listës së barnave të rimbursuara dhe garantimi i cilësisë së tyre, duke i dhënë fund ferrit të ilaçeve skadente dhe çmimeve të papërballueshme nga shtresat më të brishta ekonomikisht. Programi për rininë, synon t’i japë fund dramës familjare dhe shoqërore të shpopullimit. Çdo prind meriton t’i ketë afër bijtë dhe bijat e veta. Çdo i ri meriton të ndërtojë të ardhmen në atdheun e vet, aty ku ka kujtimet, lidhjen emocionale dhe origjinën e pashkëputur kulturore. Dyfishim i buxhetit për arsimin. Çdo teori zhvillimi apo ngritje sociale e vendos theksin te arsimi si faktor kyç. E nuk mund të ketë arsim modern pa një model serioz të financimit në nivelin e pagave, në shpërblim të kërkimit shkencor dhe në investime në pajisje dhe infrastrukturë arsimore. Zerimi i taksave për 3 vite për bizneset e të rinjve. Të rinjtë shqiptarë e kanë dëshmuar në të gjithë botën se kanë shkëlqyer në rezultate studimi, pune dhe sipërmarrje. Është koha që këtë energji ta shfrytëzojmë në shtëpinë tonë. Një çati për çdo çift. Saga e familjeve të reja për strehim duhet të marrë fund. Shteti duhet të marrë përgjegjësinë të financojë 20% të kredive dhe 30 mijë euro kredi pa interes për çdo çift. Sigurisht që këto masa janë vetëm fillimi. Shqipëria ka nevojë për reforma të thella në administratë, infrastrukturë dhe mirëmenaxhim të buxhetit.