Në kuadër të ndërgjegjësimit për rritjen e rasteve të autizmit në nivel botëror, në Kinoteatri “Aleksandër Moisiu” u zhvillua një seminar informues i organizuar nga Fëmijët Shqiptarë, ku specialistë nga e gjithë Shqipëria, përfaqësues institucionalë dhe prindër diskutuan mbi diagnostikimin e hershëm, trajtimin dhe mbështetjen ndaj fëmijëve me autizëm.
Rritja e rasteve të autizmit në nivel botëror ka nxitur organizimin e një seminari të posaçëm ndërgjegjësues në qytetin e Kavajës, me fokus informimin, këshillimin dhe shkëmbimin e njohurive për këtë çështje.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Kinoteatrit “Aleksandër Moisiu”, me iniciativën e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, duke mbledhur mjekë specialistë nga fusha të ndryshme të shëndetit dhe zhvillimit të fëmijëve, të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.
E pranishme në këtë takim ishte edhe themeluesja e fondacionit, Liri Berisha, e cila në fjalën e hapjes ndau me të pranishmit të dhëna mbi statistikat globale të autizmit, raste konkrete nga praktika dhe rëndësinë e ndërhyrjes së hershme.
Berisha theksoi se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të para dhe të mos presin derisa simptomat të bëhen më të dukshme, pasi ndërhyrja në kohë është thelbësore për zhvillimin e fëmijës.
Në seminar mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, i cili shprehu mbështetjen e institucionit vendor për këtë kategori fëmijësh.
Qosja nënvizoi se qendra për fëmijët me autizëm dhe sindroma të tjera në Kavajë mbetet nën vëmendjen e vazhdueshme të bashkisë dhe konsiderohet një model shërbimi për trajtimin dhe përkujdesjen ndaj kësaj kategorie.
Më pas, specialistët e pranishëm ndanë opinionet dhe përvojat e tyre mbi mënyrat e trajtimit, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe rolin vendimtar të familjes në procesin e integrimit të fëmijëve me autizëm në shoqëri.
Ekspertët theksuan se rezultatet konkrete tregojnë se kujdesi në kohë mund të frenojë zhvillimin e simptomave dhe të ndihmojë ndjeshëm integrimin social dhe arsimor të fëmijëve.
Pas seminarit, Liri Berisha, e shoqëruar nga kryetari i bashkisë, vizitoi edhe qendrën ditore per fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kavajë, ku u njoh nga afër me kushtet dhe shërbimet që ofrohen për këtë kategori.
Ky aktivitet shërbeu jo vetëm si një forum informues për prindërit dhe specialistët, por edhe si një thirrje për më shumë vëmendje institucionale dhe shoqërore ndaj fëmijëve me autizëm dhe familjeve të tyre.
