Katër vatra të murtajës raportohen nga Ministria e Bujqësisë në të gjithë vendin. Në një njoftim të kësaj Ministrie, thuhet se janë prekur në total 716 bagëti.
Sipas raportit të Ministrisë së Bujqësisë kanë ngordhur 25 krerë dhe janë eliminuar 153 krerë të imta, proces që vazhdon.
Ministria e Bujqësisë e konsideron murtajën e ruminantëve të vegjël, një sëmundje serioze virale, tepër ngjitëse, e cila ka ngordhshmëri të lartë deri në nivele të 100% të tufës, duke shkaktuar humbje ekonomike, por nuk cënon shëndetin dhe nuk transmetohet te njeriu.
Konfirmimi i parë për sëmundjen në Shqipëri është bërë më 4 Qershor 2025, me vendndodhje në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, në Shkodër.
Po ashtu, nisur nga situata shqetësuese dhe përhapja në disa vatra e sëmundjes, prej datës 9 qershor ka hyrë në fuqi urdhri i ministrit për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së dhenve dhe dhive të gjalla në territorin e Shqipërisë.
Ndërsa njoftohet se ndalohet përkohësisht tregtimi i kafshëve të llojit dhen dhe dhi në tregjet e kafshëve të gjalla, mjedise te hapura, panaire dhe grumbullime të tjera.