Policia e Ekuadorit ka sekuestruar 3 tonë kokainë, sasi të cilën deklaron se i përket mafies shqiptare. Lënda narkotike, e cila kap vlerën e 90 milionë dollarëve, u bllokua pasditen e të enjtes në pjesën jugperëndimore të Guayaquil-it.
Kokaina ishte e fshehur në një kamion të mbushur me arka bananesh dhe, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, i përket mafies shqiptare e cila ka lidhje me kartelet e drogës në Kolumbi dhe Meksikë.
Pesë persona nga Ekuadori u arrestuan në një fermë të kultivimit të bananeve, aty ku u gjet edhe lënda narkotike, e ngarkuar në kamion, gati për t’u nisur drejt portit. Droga ishte e paketuar me logo të ndryshme.
“U identifikua një pronë që vepronte nën maskën e një plantacioni bananesh. Brenda, u gjet një kamion tip furgon që përmbante disa kuti me banane, brenda të cilave u gjet një sasi e konsiderueshme e një substance të bardhë, me sa duket kokainë hidroklorur. Gjatë operacionit, prona u bastis dhe u arrestuan pesë individë që dyshohet se janë të lidhur me një strukturë kriminale të lidhur me mafian shqiptare”, tha kreu i policisë së Guayaquil, Victor Hugo Ordóñez.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar destinacionin e drogës dhe për të goditur rrjetin kriminal të përfshirë; megjithatë, sipas informacioneve, dyshohet se do të dërgohej në Evropë me kontejner.
Vetëm gjatë vitit 2025, në Ekuador policia ka sekuestruar rreth 100 tonë kokainë.