Në një mesazh të ndarë në rrjetet sociale gjatë serisë së saj të fundjavës “Ditari javës”, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, shprehu shqetësimin për përballjen e qytetarëve shqiptarë me rritje të lartë të çmimeve ndërsa rrogat dhe pensionet mbeten shumë të ulëta për të mbuluar nevojat bazë të jetesës. Sipas Tabakut, inflacioni ka goditur rëndë familjet shqiptare, duke rritur çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë me 55% për shkak të asaj që ajo e cilësoi si “inflacion socialist”.
Tabaku theksoi se rrogat nuk ndjekin rritjen e çmimeve, duke ulur fuqinë blerëse të qytetarëve. “Ju blini çdo ditë më shtrenjtë bulmetin, mishin, zarzavatet dhe çdo produkt të pazarit ditor,” shprehet ajo, duke shtuar se 40% e të ardhurave familjare shkojnë vetëm për ushqim, ndërsa pjesa tjetër mbulojnë faturat e rritura të energjisë dhe ujit, dhe shpenzimet për qiranë e përditshme.