Gjatë vizitës së tij në Groenlandë, zv.presidenti amerikan JD Vance akuzoi Danimarkën për neglizhencë ndaj ishullit të Groenlandës.
“Mesazhi ynë për Danimarkën është shumë i thjeshtë. Ju nuk keni bërë një punë të mirë për popullin e Groenlandës.
Ju keni investuar pak tek populli i Groenlandës dhe po ashtu keni investuar pak në arkitekturën e sigurisë së kësaj toke të bukur që ka njerëz të jashtëzakonshëm.
Kjo duhet të ndryshojë.
Dhe për shkak se nuk ka ndryshuar, kjo është arsyeja pse politika e Presidentit Trump në Groenlandë është ajo që është”, është shprehur zëvendëspresidenti JD Vance.
Në fjalën e tij, Vance u përpoq të siguronte popullin e Groenlandës se SHBA nuk do të përdorte forcën ushtarake për të marrë ishullin nga Danimarka. Në vend të kësaj, ai u kërkoi vendasve të ndërpresin lidhjet me Danimarkën, e cila ka kontrolluar rajonin që nga viti 1721.
Ai u shpreh gjithashtu se Rusia, Kina dhe kombet e tjera po shfaqin një “interes të jashtëzakonshëm” për rrugët detare dhe mineralet në këtë rajon.
Më herët gjatë javës, Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, akuzoi SHBA-në për presion të papranueshëm ndaj Groenlandës dhe Danimarkës për të hequr dorë nga territori, duke theksuar: “Është presion që ne do t’i rezistojmë”.