Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me pensionistët u shpreh se ata janë shtresa më e injoruar në mënyrën më të pamerituar.
Berisha gjatë fjalës së tij theksoi se pensionistët jetojnë me ndihmat e fëmijëve të tyre apo të afërmve.
Jetoni, të shumtit nga ju, nga ato ndihma që u dërgojnë fëmijët tuaj, familjarët tuaj, sepse pensionet janë absolutisht pensione të padenja dhe në këtë kontekst, në këtë kuadër, duhet t’u them se qëndrimi ndaj jush është qëndrim ndaj dinjitetit njerëzor. Njeriu duhet të jetojë në dinjitet, por njeriun që e dënon me varfëri, ti ia dhunon edhe dinjitetin. Pse them e dënon? Sepse ju në 12 vite jeni dëshmitarë, e keni provuar me jetesën tuaj të përditshme se pensionet tuaja janë rritur shumë më pak se sa çmimet. Në qoftë se çmimet në dyqane janë dyfishuar, ndonjëherë edhe mbidyfishuar, dhe këtu është fjala për çmimet bazë. Në qoftë se ilaçet e rimbursimit janë pakësuar dhe për fatin e keq edhe ato që blini janë jashtë standardeve, sepse këta e anuluan ligjin për interesa të mafies, ligji që garantonte standarde të BE.
Pra, ju sot jeni shtresa më e injoruar dhe në mënyrën më të pamerituar. Nuk ka diskutim që pensionet bazohen në fondin e pensioneve. Por kur bëjmë fjalë për tranzicion real, atëherë ne tranzicionin duhet ta pranojmë në të gjithë fushat. Edhe fondi i pensioneve është në tranzicion. Por vijmë sot. Qëndrimet 12 vite të kësaj qeverie kanë qenë më së paku të papërgjegjshme”, u shpreh Berisha.
Berisha, ndër të tjera thekson se në Shqipëri, diferenca midis rrogës së lartë, rrogës mesatare dhe pensionit mesatar është më e madhja në rajon.
“Kanë qenë edhe të pamëshirë në njëfarë aspekti sepse çdo qeveri në janar, kur bën buxhetin e shtetit, ajo qeveri ndan kaq për rrogat, kaq për pensionet, kaq do ndaj për shkollat, për kopshtet, shëndetësinë e me radhë. Kurse ju iu zhduku nga zëri. Jo rrogat. Rrogat e larta i trefishoi. Tani dini një gjë ju, sot Shqipëria që thonë këta, për rrogëlartit ka rrogat më të larta në rajon. Diferencën midis rrogës së lartë, rrogës mesatare dhe pensionit mesatar e ka më të madhen në rajon, çka është çnjerëzore. Sepse ti mund të jesh Presidenti i Republikës, por edhe ajo që shtyp, edhe ajo që pastron, edhe ajo ka fëmijë. Edhe ata shpenzojnë dhe konsumojnë. Prandaj gjithmonë bëhet një përllogaritje që kjo diferencë të mos jetë më e madhe se 4-5 herë. Këtu është 10-12 herë. Dhe këta e bënë. Ne e kishim 4-5 herë”, thekson Berisha.