Pas afatit 10-ditor që u kishte lënë, kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot, 14 korrik, deputetë dhe drejtorë të bashkisë Tiranë. Këtë takim e nisi me temën më të “nxehtë” të momentit, atë të ndërtimeve pa leje në Theth. Duke theksuar se nuk do të tolerohen kurrsesi ndërtimet pa leje, e aq më tepër në zonat e mbrojtura, iu përgjigjj të gjitha aludimeve që kanë qarkulluar së fundmi.
Tha se janë goditur rreth 40 subjekte pa leje në Theth, me qëllim fitimin.
“Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift, u habita si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje, rrrena dhe pastaj i premë në bes. Nuk kemi prerë në besë askënd!”, u shpreh ai.
Shtoi se qeveria e ka mbajtur premtimin e saj për legalizimet, me 300 leje për subjektet në Theth.
“Kanë rreth 300 legalizime që ata disponojnë, premtimi ynë ka qenë i tillë, nuk ka qenë dhe kurrë s’e kemi bërë këtë që na jepni votën dhe ndërtoni pa leje.”
“Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që dalin nëpër ekrane duke bërë zhurmë, ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje fare me të vërtetën e kësaj historie”, theksoi ai.
Kryeministri paralajmëroi se historia “ndërto sot që të legalizosh nesër”, nuk do të funksionojë më.
“Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi, pa leje, do të rrafshohen. Nuk do ketë asnjë tolerancë apo dialog”, u shpreh ai.
“S’ka më trotuar privat”, akt normativ për çështjen e lirimi të hapësirave publike!
Rama tha se aksioni për lirimin e hapësirave publike nuk do ndalojë, duke njoftuar edhe një akt normativ për këtë.
“Paralelisht kemi ngritur një grup prej 60 arkitektësh lokalë, të ndarë në 8 grupe për projektimin e ripërtëritjes së pikave se ku do të bëhen prishjet dhe do të lirohen hapësirat. Do të jetë rilindja urbane 2.0 në Tiranë dhe në qytetet e mëdha.
Shkodra, Lezha që çuditërisht ose jo shumë kanë më pak problematika se në Lezhë drejton policia, pastaj Durrësi, Vlora e Fieri, Elbasani, Korça është po ashtu edhe pse nuk drejton policia me më pak problematika të kësaj natyre ndërkohë që në vijën bregdetare, duhet të ketë një presion të rritur ndaj të gjithë atyre që ndërtojnë dhe tentativave për të ndërtuar pa leje. Do të jetë jo e lehtë, por e pandalshme, konstante dhe do të vazhdojë deri kur të konstatojmë që nuk ka më tendenca të kundërta”, tha ai në mbledhjen e sotme.
Ky aksion nisi që pas shkarkimit të drejtorëve në bashkinë Vlorë, pasuar me ristrukturim edhe në disa bashki të tjera.
“Do të krijohet Operatori i Shpërndarjes së Ujit”
Njoftoi krijimin e Operatorit të Shpërndarjes së Ujit, çka nënkupton se administrimi i shpërndarjes së ujit do të kalojë nga pushteti vendor në nivel qendror, përmes një operatori kombëtar.
“Duhet të krijojmë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit, njësoj si ai për energjinë elektrike. Na duhet një ndërmarrje kombëtare e ujit dhe një korporatë e re që të adresojë problemin e investimeve”, deklaroi Rama.
Përmendi një reformë të brendshme organizative dhe tërësore të shërbimeve.
“Këto do të diskutohen më tutje nga pjesëtarë të grupeve të punës, edhe me strukturat e bashkisë”, shtoi më tej.
Reforma të reja
Numri një i kabinetit tha se shumë shpejt do të ketë një sistem të trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar. Një të tillë edhe për furnizimin me naftë.
“Do duhet të ndërtojmë sinergji me korporata të nivelit ndërkombëtar. Kjo do të na ndihmojë në 1001 arsye të çojmë në nivel tjetër investimet apo shërbimin me ujë. Në sistemin e trajtimit të mbetjeve kemi një hartë shumë më ndryshe nga ajo që ishte. Por duhet të konsolidohet dhe duhet të bëhet një sistem i trajtimit të mbetjeve në nivel kombëtar.
Po punojmë intensivisht me Ministrinë e Infrastrukturës për një sistem të ri të furnizimit të naftës. Është një domosdoshmëri dhe mundësi për të kaluar edhe te furnizimi i naftës me një komponent të ri të shtetit si protagonist në realizimin e kontratave dhe furnizimin me naftë”, tha Rama.
Sigurinë ushqimore e cilësoi një “pikë të dobët”, sidomos në negociatat me Bashkimin Evropian.
“Na duhet të hedhim hapa të mëdhenj…Kushdo që do të tregtojë qumësht apo mish pa faturë, do e humbasë atë mall!”, paralajmëroi ai.
U ndal edhe te barnat mjekësore, ku tha se duhet të furnizohet gjithë sistemi publik apo privat.
“Përsëri me shtetin si palë, si protagonist. Ka ardhur koha të prodhojmë sukses duke u bërë palë. Kemi ndryshuar edhe gjithë qasjen ndaj pronës prej kohësh. Kemi vendosur shtetin në rolin e pronarit që nuk lëshon prona, por merr pjesën e vetë për llogari të qytetarëve.”
Në këtë takim, që zgjati pak pas fjalës së Ramës, deputetët e Tiranës dhe drejtorët e bashkisë kanë raportuar te kryeministri për shqetësimet kryesore të qytetarëve.