Gjykata e Durrësit ka lënë në arrest me burg ish-drejtorin e burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, i cili u vu në pranga për arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci. Ndërkohë togat e zeza lanë në arrest shtëpie mjeken Ylfete Sema.
Kjo masë sigurie është kundërshtuar nga avokatët mbrojtës të tyre, të cilët kanë deklaruar se do ta ankimojnë vendimin.
Avokati i ish-drejtorit Cërloj, Ndriçim Troplini, tha në një prononcim të shkurtër para mediave se po interpretohet gabim ligji.
“Jemi plotësisht dakord që është një ngjarje shumë e rëndë, ka cenuar sigurinë e sistemit të drejtësisë, të burgjeve… Por ama përgjegjësia është personale. Ne çmojmë se kemi të bëjmë me një interpretim të gabuar të ligjit, akteve nënligjore, në lidhje me detyrat dhe funksionet që ka një drejtues i një IEVP-je në krahasim me Policinë e Burgjeve dhe në krahasim me personelin mbështetës.
Të gjitha akuzat që ka ndaj drejtorit të IEVP-së është që ka firmosur një shkresë nga strukturat e shëndetësisë, që duhej të shkonte një i paraburgosur për vizitë në spital dhe i thonë se ‘pse nuk e ke verifikuar që mjeku i IEVP-së e ka vizituar’.
Në momentin kur mjeku i IEVP-së ka firmosur letrën, do të thotë që e ka vizituar.”, tha avokati Ndriçim Troplini.
Ndërkohë avokatja e mjekes, Tone Lekgegaj, u shpreh se klientja e saj është e pafajshme dhe se ka vepruar vetëm duke i dhënë përparësi jetës njerëzore.
“Zonja Ylfete realisht është e pafajshme, nuk ka kryer asnjë veprim të kundraligjshëm, megjithatë do vijojnë hetimet dhe përfundimisht do zbardhet e vërteta dhe çdo gjë do të shkojë në vendin e duhur.
Absolutisht që kishim shumë pretendime, sepse në të gjithë kushtet dhe rrethanat shtetasja Ylfete Sema nuk mund të përfshihej në atë ngjarje. Gjendja shëndetësore e shtetasit i cili rezulton që është larguar ka qenë e rëndë, kjo e vërtetuar edhe nga fakti që ai është mjekuar nga mjeku kardiolog tek Spitali Rajonal Durrës. Ka dalë që ka pas probleme shëndetësore, është mjekuar dhe pas 2 orësh ka qenë duke pritur vizita sërish.
Doktoresha duke parë personelin që i ka thënë se ai është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe situata nuk pret, është detyruar duke parë që është parësore jeta dhe shëndeti i personit dhe ka përpiluar dokumentet pa një vizitë paraprake”, tha avokatja e mjekes.
Altin Ndoci, i konsideruar një person me rrezikshmëri të lartë, vazhdon të qëndrojë në arrati pasi iku nga Spitali i Durrësit më 13 janar 2026. Arratisja e tij ka shkaktuar një valë hetimesh dhe masa të rrepta disiplinore, duke çuar në shkarkimin e të gjithë zinxhirit komandues të Burgut të Durrësit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Ndoci kishte shkuar në Spitalin Rajonal të Durrësit për probleme me veshkat, ku ka shfaqur dhimbje të vazhdueshme dhe shqetësime të tjera shëndetësore. Ai kishte marrë rekomandimin e mjekut të burgut për të kryer kontroll dhe trajtim të specializuar.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se për dërgimin e Ndocit në spital nuk janë respektuar procedurat e parashikuara për raste të tilla. Shkeljet u evidentuan edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, ku Ndoci shihet duke zbritur nga autoambulanca për t’u futur në spital i shoqëruar nga efektivët, por pa pranga në duar.
Kujtojmë se 39-vjeçari vrapoi jashtë rrethimit të spitalit pa asnjë pengesë, duke siguruar largimin e tij me një automjet tip Audi ngjyrë e zezë, që e priste jashtë. Pas largimit, drejtimi i tij mbetet i panjohur. Policia ka reagoi menjëherë, duke ushtruar kontrolle të shumta në qytete si Kavajë, Tiranë dhe Elbasan, duke tentuar të kapë Ndocin, i cili dyshohet të jetë fshehur për të shmangur kapjen.
