Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh zëvendëskryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Eno Bozdo, tha sot se Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) refuzon të bëjë transparencë në lidhje me disa projekte zhvillimore, për të cilat investitorëve u është dhënë statusi i investitorit strategjik.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit se, Bozdo deklaroi se ka kërkuar zyrtarisht informacion nga AIDA për dokumentacionin që lidhet me këto projekte, por sipas tij, asnjë informacion nuk është vënë në dispozicion.
Sipas tij, informacioni i kërkuar lidhet me dokumente që në kushte normale duhet të jenë publike dhe të aksesueshme për qytetarët dhe institucionet.
“Kam kërkuar informacione nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) që kanë lidhje me disa projekte të mëdha zhvillimore, për projekte të mëdha zhvillimore për investitorët e të cilëve është dhënë statusi I investitorit strategjik.
“Informacioni i kërkuar ka lidhje me dokumentet zyrtare vlerësuese në lidhje me plotësimin e kritereve ligjore nga aplikuesi, marrëdhëniet e pronësisë së truallit, aftësitë financuese të investitorëve, mendimet zyrtare të dhëna nga institucionet e përfshira në proces, lejet dhe licensat e përfituara. Dokumente të cilat në kushte normale duhet të jenë publike. Këto dokumente nuk përbëjnë as sekret kombëtar, as plane konfidenciale biznesi, as sekret shtetëror, asnjë të dhënë të brendshme financiare, pra praktikisht asgjë që legjislacioni shqiptar e konsideron të pamundur për të patur akses”, tha Bozdo.
Sipas tij, refuzimi për të dhënë informacion hedh dyshime mbi ligjshmërinë e projekteve në fjalë.
“Mosdhënia e asnjë informacioni hedh hije të forta dyshimi mbi këto projekte, të cilat, nëse do të ishin në përputhje me ligjin, nuk do të kishin asnjë arsye që dokumentet e tyre të mos viheshin në dispozicion”, u shpreh ai.
Zëvendëskryetari i Komisionit për Ekonominë i bëri thirrje Komisionerit për të Drejtën e Informimit Publik të ndërhyjë në këtë çështje.
“I bëj thirrje Komisionerit për të Drejtën e Informimit Publik të ndërhyjë dhe t’i japë përparësi ligjit dhe jo korrupsionit. Kjo çështje do të ndiqet deri në fund dhe AIDA, bashkë me qeverinë, do të detyrohen t’i bëjnë publike këto dokumente”, përfundoi Bozdo.
