Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, përfituan nga gjykimi i shkurtuar edhe për iceneratorin e Fierit.
Ky vendim u mor nga togat e zeza të gjykatës së Posaçme, të cilat pranuan kërkesën në seancën e sotme.
Po ashtu edhe të pandehurit e tjerë, mes tyre pronari i inceneratorit, Klodian Zoto, do të gjykohet me provat e deritanishme të paraqitura në gjykatën e posaçme nga SPAK.
Për 16 të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshirë edhe zyrtarët më të lartë të vendosur nën akuzë, prokuroria do ta paraqesë pretencën e saj në datën 12 qershor. Më pas fjalën do ta kenë avokatët dhe procesi përmbyllet me vendimin e gjykatës së posaçme.
Nga ana tjetër, trupa gjykuese nuk i dha të drejtë kërkesave për dy të pandehur, Arben Dervishaj dhe Arens Myrtezani. I pari i kërkoi gjykatës, shpalljen e moskompetencës për akuzën e shpërdorimit të detyrës, me argumentin se nuk është nëpunës publik, ndërsa i dyti pretendoi që provat dhe aktet ligjore të shpallen të pavlefshme.
Për inceneratorin e Fierit, gjykata ka marrë 19 persona të pandehur e për tre prej tyre që nuk kërkuan gjykim të shkurtuar, do vijojë gjykimi i zakonshëm.
Në dosjen tjetër që bën fjalë për inceneratorin e Elbasanit, prokuroria kërkoi më 18 maj 10 vjet burg për Lefter Kokën, i cili me gjykim të shkurtuar dënohet 6 vite e 8 muaj nëse shpallet fajtor. 4 vjet heqje lirie u kërkuan edhe për Alqi Bllakon, në lidhje me dosjen e inceneratorit të Elbasanit, ku për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi zbret në 2 vjet e 8 muaj.
https://www.facebook.com/blueledED/