Kryeministri Edi Rama deklaroi sot më 20 tetor, se Shqipëria do të bëhet një nga vendet e para në rajon që implementon identitetin digjital, një projekt ambicioz që pritet të hyjë në funksion në fillim të vitit 2026, një vit përpara afatit të përcaktuar nga Bashkimi Europian.
Gjatë prezantimit zyrtar të projektit, Rama e cilësoi identitetin digjital si themelin e së ardhmes teknologjike të vendit.
Sipas tij, ky hap është një pjesë e rëndësishme e strategjisë për modernizimin e administratës dhe rritjen e transparencës ekonomike.
“Ajo që po prezantohet sot do të jetë në dispozicion të ekonomisë sonë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Rama, duke nënvizuar rolin kyç që do të luajë kjo teknologji në jetën e përditshme të qytetarëve dhe biznesit.
Rama kujtoi gjithashtu se Bashkimi Europian ka përcaktuar vitin 2027 si afatin për përfshirjen e detyrueshme të identitetit digjital për qytetarët e tij.
“BE ka shpallur që brenda vitit 2027, shtetasit e vendeve të Bashkimit Europian duhet të kenë identitet digjital. Ne do ta kemi identitetin digjital më 2026, një vit më herët sesa BE-ja.”
Kryeministri theksoi se ky rezultat vjen si rezultat i investimeve të vazhdueshme në teknologji dhe inovacion.
“Ne besojmë shumë tek fuqia e inovacionit. Kemi krijuar një bazë solide, për të pasur transformime në çdo sektor.”
Ai përmendi gjithashtu përpjekjet për të kaluar nga një ekonomi e bazuar te paraja në dorë, drejt një ekonomie digjitale dhe transparente.
“Ky është proces i rëndësishëm, që të kalojmë nga paraja cash tek paraja digjitale, që do të thotë më tepër transparencë dhe më shumë të ardhura”.
Përmes këtij projekti, Shqipëria synon jo vetëm të përshpejtojë tranzicionin digjital, por edhe të vendoset në pararojë të zhvillimeve teknologjike në rajon.