Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se programi “Dyfisho Ndërmarrjen” po kthehet në një instrument të rëndësishëm për mbështetjen dhe zgjerimin e bizneseve në sektorin e agropërpunimit, veçanërisht në zonën e Beratit.
Sipas saj, përmes këtij programi synohet lehtësimi i aksesit në financim, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe formalizimi i mëtejshëm i sipërmarrjeve, duke nxitur rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin në tregjet e Bashkimit Evropian.
Ajo solli në vëmendje se sektori i përpunimit të vajit të ullirit në Berat po njeh zhvillim të ndjeshëm, ku mbi 70 prodhues janë bashkuar në një konsorcium, duke ulur kostot dhe rritur fitimet përmes bashkëpunimit.
Gjatë një takimi me sipërmarrës të këtij sektori, Ibrahimaj theksoi se ky organizim përfaqëson një model të suksesshëm për rritjen e eficiencës, përmirësimin e cilësisë së produktit dhe forcimin e konkurrueshmërisë në tregjet e Bashkimit Evropian. Ajo nënvizoi se bashkimi i prodhuesve ndikon drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së shtuar dhe krijimin e një marke më të fortë shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja u ndal gjithashtu te rëndësia e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit, duke përfshirë rritjen e pagave për punonjësit dhe nxitjen e investimeve në agropërpunim. Sipas saj, mbështetja e qeverisë do të vijojë përmes instrumenteve konkrete financiare që synojnë zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.
