Komisioni i Etikës në Kuvend ka marrë masa ndaj deputetëve të Partisë Demokratike Gazment Bardhin dhe Fidel Krekën, pas tensioneve në seancën e fundit plenare në Kuvend.
Kështu, mësohet se deputetët e PD-së janë përjashtuar me 10 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare në Kuvend.
Ky vendim vjen pas shkresës që Partia Socialiste i ka drejtuar ditën e djeshme kryeparlamentarit Niko Peleshi, ku kërkohet marrja e masave disiplinore ndaj disa deputetëve të Partisë Demokratike.
Në shkresë thuhet se në seancën që supozohej të ishte akti i parë institucional që përcakton drejtimin politik dhe përbërjen ekzekutive të qeverisë së re, nuk u respektua nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike.
“Gjatë kohës që kryeministri ishte në foltore për fjalën e tij, deputetët e opozitës filluan që përmes zhurmave, thirrjeve, rënies me dorë të tavolinave dhe duke u ngritur në këmbë, penguan fjalën e tij”, thuhet në shkresë.
Për mazhorancën, goditja me sende të forta disa herë, në drejtim të kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave nga deputeti Fidel Kreka dhe kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, është e paprecedentë.
