Gaza 5 1024x576

Në një kohë kur po rritet zemërimi dhe thirrjet e komunitetit ndërkombëtar ndaj Izraelit për të ndalur masakrën në Gaza, Shtetet e Bashkuara po përpiqen sërish të arrijnë një marrëveshje mes shtetit hebre dhe Hamasit, pavarësisht bllokimit të bisedimeve që vazhdojnë prej javësh në Doha.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, ka mbërritur në Itali këtë të enjte, më 24 korrik, për të takuar ministrin dhe kreun e negociatave izraelite Ron Dermer si dhe kryeministrin e Katarit Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, vend që është ndërmjetës së bashku me SHBA-të dhe Egjiptin.

Takimi mes tre zyrtarëve të lartë për të gjetur një marrëveshje për armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve mund të zhvillohet në bord të një mega jahti të ankoruar përpara Costa Smeralda-s.

Sipas pak informacioneve që kanë dalë në mediat italiane si “Ansa“, Witkoff pritet të mbërrijë sot në aeroportin e Olbias në Costa Smeralda dhe do të transferohet në një anije të madhe pranë bregdetit të Galluras. Sipas burimeve, Witkoff do të qëndrojë në Sardenjë deri të dielën, edhe pse nuk ka konfirmime zyrtare.

Mendohet se bregdeti i Galluras është zgjedhur nga Katari, pasi përmes fondit të tij sovran dhe kompanisë operacionale Qatar Holding zotëron pjesën më të madhe të hoteleve luksoze në Costa Smeralda.

“La Stampa” shkruan se nëse bisedimet do të shkojnë mirë, sipas burimeve të ndryshme, i dërguari i Donald Trump-it mund të vazhdojë më pas drejt Dohas gjatë fundjavës. Witkoff e nis këtë udhëtim me “shpresën e fortë për të arritur një armëpushim të ri” dhe për të hapur “një korridor humanitar për hyrjen e ndihmave që të dyja palët, në fakt, i kanë pranuar”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce në njoftimin e misionit.

Në foto: Steve Witkoff

Propozimi në tavolinë parashikon një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e 10 pengjeve izraelite që janë ende gjallë (që Trump kishte njoftuar si të afërt në ditët e fundit) në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë. Por Hamasi kërkon gjithashtu tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës dhe fundin e luftës, ndërsa synimi i Izraelit është shkatërrimi i organizatës palestineze dhe marrja e kontrollit mbi enklavën. “Nëse pengjet nuk lirohen shpejt, do të hapen portat e ferrit”, kërcënoi ministri izraelit i Mbrojtjes, Katz.

Për herë të parë që nga 7 tetori, kreu i shtetit izraelit Isaac Herzog ka vizituar personalisht Rripin e Gazës, nga ku u shpreh se Izraeli “respekton të drejtën ndërkombëtare humanitare” dhe akuzoi “terroristët e Hamasit që kapin ndihmat, refuzojnë lirimin e pengjeve dhe armëpushimin, duke i shkaktuar popullsisë civile të Gazës vuajtje tragjike”. Por sipas tij, presionet ndërkombëtare ndaj Izraelit nuk ndalen, me gjithnjë e më shumë vende evropiane që kërkojnë nga Komisioni Europian të shqyrtojë masa kundër shtetit hebre.

“Situata në Gaza është dramatike, asnjë veprim ushtarak nuk mund të justifikojë sulme ndaj civilëve. Jemi të angazhuar që armiqësitë të ndalen dhe të fillojë një proces serioz drejt perspektivës së dy shteteve,” përsëriti kryeministrja Giorgia Meloni gjatë takimit me presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune, në prag të bisedimeve të Romës.

Po ashtu, Franca ka akuzuar qeverinë izraelite si përgjegjëse për “përkeqësimin e situatës humanitare, të shënuar nga kequshqyerja dhe rreziku i urisë. Kjo situatë është rezultat i bllokadës së vendosur nga Izraeli”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights