Një shtetas italian ka ndërruar jetë ditën e sotme, në Spitalin Onkologjik të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, pas një arresti kardiak që ka pësuar, teksa trajtohej prej 28 tetorit të këtij viti. Shtetasi italian, 64 vjeç ishte dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata e Shkodrës për veprën penale “prodhim dhe shitje narkotikësh”.
Cristiano Trapani, nga Frosinone e Italisë, rreth orës 11:30, teksa aktualisht mbante statusin e të paraburgosurit dhe për shkak të gjendjes shëndetësore ishte transferuar nga paraburgimi i Shkodrës, humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Burgjeve.
“Me vendimin nr. 1433, datë 16.11.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e kishte dënuar me 8 vjet burg për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a-22 i Kodit Penal. Më tej, me vendimin nr. 681, datë 28.09.2024, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka vendosur vlerësimin e ligjshëm të arrestit për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/2 dhe 324/a/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar.