42-vjeçari Vladimir Kola alias Valmir Kola, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Gjermania në Shqipëri. Dyshohet se Kola me datë 30 Tetor të 2022-shit në kompleksin “Kodra e Diellit” në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri Briken Sanajn.
Kola dyshohet se ka qenë autori i ekzekutimit të Sanajt, ndërsa për krijimin e kushteve është ndihmuar nga dy shtetas nga Kosova.
Shkak i vrasjes së Briken Sanajt dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë kur familjari i Vladimirit është plagosur rëndë nga i vëllai i Briken Sanajt.
42-vjeçari u arrestua në Gjermani në muajin Prill 2024, gjatë operacionit të koduar “Versus”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe homologëve gjermanë.
Sjellim në vëmendje se Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin e datës 23 Nëntor 2022, i ka caktuar 42-vjeçarit Kola masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve, armëve shpërthyese dhe municionit”.