Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një takim pune me të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn.
Gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i fortë dhe i qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve, bashkëpunimi i ngushtë dhe miqësia e kahershme, si edhe aleanca e palëkundur në kuadër të NATO-s.
Hoxha vlerësoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten një aleat kyç dhe partner strategjik për Shqipërinë.
Në fokus të takimit ishin po ashtu edhe zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë situatën aktuale në Lindjen e Mesme.
Hoxha siguroi se Shqipëria qëndron përkrah aleatëve të saj në mbështetje të përpjekjeve për të parandaluar regjimin iranian nga sigurimi i armëve bërthamore apo armëve të tjera të shkatërrimit në masë, si dhe për të garantuar paqen dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar.
“Siguria e aleatëve tanë mbetet e panegociueshme”, u shpreh Hoxha.
Po ashtu, në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, rëndësinë e forcimit të sigurisë rajonale, rritjen e qëndrueshmërisë demokratike dhe avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
