Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar këtë të hënë, më 13 prill, një takim me anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës, në prag të Samitit të IV të Diasporës.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi takimin si një bashkëbisedim të hapur dhe energjik, duke vlerësuar angazhimin e anëtarëve dhe rëndësinë e kësaj marrëdhënieje për zhvillimin e vendit.

Gjatë diskutimeve, palët ranë dakord për nisjen e një faze të re në riorganizimin e këtij mekanizmi, me synimin për një koordinim më të mirë të aktiviteteve dhe hartimin e një agjende vjetore konkrete, në funksion të prioriteteve kryesore të vendit.

Në këtë takim të parë, njohës por edhe përmbajtësor, shpreha vlerësimin dhe mirënjohjen time për angazhimin e secilit në këtë marrëdhënie të veçantë, të ndërtuar mbi një vizion të përbashkët.

Së bashku ramë dakord për të çelur një fazë të re në riorganizimin e këtij mekanizmi jetik, me objektiva të qartë për një bashkërendim më të mirë të aktiviteteve dhe një agjendë vjetore konkrete në funksion të prioriteteve madhore.

Në fokus: #Shqipëria2030 🇦🇱 dhe fuqizimi i diasporës si partner i pazëvendësueshëm, në mësimin dhe promovimin e gjuhës shqipe, përfshirjen në zhvillimin ekonomik e shoqëror, partneritetin me biznesin dhe promovimin e vlerave tona kulturore në botë.”, shkruan ministri.

Më tej, Hoxha theksoi se përmes angazhimit të profesionistëve dhe përfaqësuesve nga diaspora, krijohet një mundësi reale për të kthyer potencialin e saj në kontribut konkret për zhvillimin e Shqipërisë.

Ky takimi vjen në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Diasporës, që pritet të zhvillohet në Tiranë në tri ditët në vijim, dhe synon forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve kudo në botë.