Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, shefat e komisariateve dhe të sektorëve në varësi të DVP-së.
Qëllimi i takimit ishte marrja e masave për rritjen e parametrave të rendit dhe sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.
Gjatë takimit, Hita kërkoi më shumë angazhim, përkushtim dhe profesionalizëm për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimit, të shitjes së lëndëve narkotike, kultivimit të kanabisit si në terrene të hapura ashtu edhe në ambiente të mbyllura, të armëmbajtjes pa leje, të krimeve ekonomike, të lojërave të fatit dhe call center-ave të paligjshëm, të trafiqeve, si dhe të krimeve mjedisore, kryesisht për lirimin e hapësirave publike, ndërtimet pa leje dhe ndotjen e mjedisit.
Rendi dhe siguria në tërësi, e në veçanti siguria në shkolla, siguria kibernetike dhe ajo rrugore, ishin disa nga porositë e tjera që Drejtori i Përgjithshëm dha gjatë takimit, duke kërkuar rritje të prezencës policore dhe të kapaciteteve profesionale, me qëllim parandalimin dhe rritjen e mëtejshme të parametrave të sigurisë në kryeqytet.
Hita u ndal gjatë te adresimi dhe ndjekja në dinamikë e shqetësimeve dhe denoncimeve të qytetarëve, duke theksuar se ligji dhe qytetarët janë parësorë për Policinë e Shtetit, ndaj kërkohet reagim në kohë, angazhim dhe profesionalizëm.
Ai shtoi se besimi i qytetarëve fitohet me punë dhe sjellje korrekte të punonjësve të Policisë.
Gjithashtu, kërkoi nga drejtuesit që të jenë sa më pranë punonjësve në terren, t’i mbështesin dhe t’i motivojnë ata në përmbushjen e detyrave, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm.
