Web3 turin shroud sindone shutterstock 1321703030 gonewiththewind 696x348

“Pëlhura e Torinos”, një copë liri vjetër prej shekujsh, që shumëkush beson se mbështolli trupin e Jezusit pas kryqëzimit të tij, ka qenë prej kohësh e rrethuar nga misteri dhe polemikat, sipas CNN.

Një dokument mesjetar i sapozbuluar sjell prova të reja se pëlhura mund të mos jetë autentike.

Zbulimet, të botuara në “Journal of Medieval History”, tregojnë se një dijetar dhe teolog i shquar norman, Nicole Oresme, e hodhi poshtë “Pëlhurën” si mashtrim të qëllimshëm në shekullin XIV, duke e bërë këtë një nga refuzimet më të hershme dhe më autoritative të autenticitetit të saj.

“Pëlhura”, e cila është rreth 4,3 metra e gjatë, mbart një imazh të zbehtë të përparme dhe të pasme të një burri që duket se është kryqëzuar. Shumë të krishterë e kanë nderuar atë si një relike të shenjtë, ndërsa të tjerë kanë vënë në dyshim origjinën e saj prej shekujsh.

Testimet shkencore vazhdimisht kanë hedhur dyshime mbi autenticitetin e saj, datimi me karbon radioaktiv tregon se  ajo ka të ngjarë t’i përkasë shekujve XIII ose XIV, dhe një studim i fundit me analizë 3D sugjeroi se ajo dikur ishte mbështjellë rreth një skulpture, jo një trupi të vërtetë.

Oresme tregoi posaçërisht për një kishë në Champagne të Francës, ku  ekspozohej” Pëlhura”, atëherë e njohur si ”Pëlhura e Lirey”. Ai e paraqiti atë si një nga rastet më të dukshme të mashtrimit klerikal.

Refuzimi i tij për “Pëlhurën” është veçanërisht i rëndësishëm sepse i paraprin një tjetër refuzimi të njohur, nga Pierre d’Arcis, peshkop i Troyes, i cili në vitin 1389 gjithashtu e denoncoi atë si të rreme.

Kritika e Oresme daton me shumë gjasë në vitet 1370, duke treguar se dyshimet mbi reliken ishin tashmë të përhapura në qarqet intelektuale dhe kishtare të kohës.

Sipas Dr. Nicolas Sarzeaud, autori kryesor i studimit, rëndësia e Oresme qëndron jo vetëm në refuzimin e “Pëlhurës”, por edhe në qasjen e tij më të gjerë ndaj provave. Ai vlerësonte besueshmërinë e dëshmitarëve, paralajmëronte kundër thashethemeve dhe kërkonte gjithmonë shpjegime racionale në vend të pretendimeve për ndërhyrje hyjnore apo demonike.

Refuzimi i tij pasqyron një formë mesjetare të të menduarit kritik, gjë që mund të habisë shumëkënd që i imagjinon njerëzit e Mesjetës si të lehtë për t’u mashtruar.

Eksperti i “Pëlhurës”, profesori Andrea Nicolotti i Universitetit të Torinos, tha se ky zbulim është një provë e mëtejshme se “Pëlhura” konsiderohej mashtrim që në Mesjetë. Ai theksoi se Oresme nuk kishte ndonjë interes personal në këtë çështje dhe për këtë arsye përbënte një zë të pavarur.

Megjithëse u denoncua që shekuj më parë si falsifikim, “Pëlhura e Torinos” është bërë një nga reliket më të famshme të krishterimit. Sot ajo ekspozohet rrallë, por kopje të saj gjenden kudo në botë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights