640 0 1740745778x640 0 1740551116xwmremove transformed 331 143

Policia po vijon hetimet mbi shpërthimin me tritol që ndodhi pranë noterisë së Fran Gjonit në Lezhë, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë mbi autorët dhe motivet e mundshme të sulmit.

Sipas burimeve nga organet e hetimit, ngjarja është kryer nga dy persona, të cilët kanë përdorur një sasi eksplozivi me fitil për ta hedhur nga një makinë në lëvizje. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur njëri prej tyre, i ulur në sediljen e pasagjerit, hodhi tritolin në shkallët e ndërtesës, ndërsa shoferi drejtonte mjetin e përdorur në ngjarje.

Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet BMW, i cili kishte qenë i aksidentuar dhe i papërdorur për një kohë të gjatë. Për të shmangur identifikimin, ata kishin montuar targa të vjedhura. Pas sulmit, dyshohet se ata janë larguar nga Lezha për të humbur gjurmët.

Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore: njëra lidhet me aktivitetin profesional të Fran Gjonit si noter në Lezhë, ndërsa pista tjetër ka të bëjë me të kaluarën dhe angazhimin politik të vëllait të tij, ish-gjyqtarit Gjin Gjoni. Ky i fundit ka qenë një figurë e njohur në politikën lokale si drejtues i Partisë Demokratike në Lezhë, ndërsa disa javë më parë ai dha dorëheqjen nga ky post për të kandiduar në primaret e PD-së për qarkun e Lezhës.

Autoritetet po analizojnë dëshmitë dhe provat e mbledhura, ndërsa kërkimet për autorët e dyshuar vazhdojnë. Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të reja për të zbardhur motivet dhe prapaskenat e këtij sulmi të rëndë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights