Të tjera detaje mësohen lidhur me ngjarjen e rëndë të ditës së djeshme, 18 shtator, ku tre fëmijë (motra) përfunduan në spitalin e Korçës, pasi kishin konsumuar karamele me kanabis, të cilat thuhet se i gjetën në rrugë, pranë një koshi mbeturinash.
Shefi i Pediatrisë së Korçës Robert Rado, në një deklaratë për mediat ka zbuluar se cila është gjendja e vajzave.
Sipas mjekut, vajza më e madhe, 11 vjeçe, kishte shfaqur vetëm efekte të lehta pas konsumimit të substancës dhe është mbajtur nën vëzhgim pa shenja serioze për jetën. Ndërsa vajza 8-vjeçare kishte simptoma më të dukshme të intoksikimit. “U ndërhy menjëherë në përputhje me gjendjen e saj. Sot është më mirë, në parametra normalë, reagon, është zgjuar dhe në përmirësim,” tha Rado.
Mirëpo më shqetësuese ka qenë gjendja e vajzës më të vogël, vetëm 3 vjeçe. Ajo është paraqitur në spital në gjendje të rëndë, me shenja të prekjes së sistemit nervor qendror, kriza konvulsive dhe të vjella. Mjekët kanë ndërhyrë urgjentisht duke e intubuar në repartin e reanimacionit për të rriturit, veprim i rrallë për një fëmijë kaq të vogël.
“Problemi ishte me vajzën më të vogël, 3 vjeç, e cila erdhi në gjendje të rëndë, me simptoma nga sistemi nervor, si rezultat i efektit që japin këto substanca mbi të. Bëhet fjalë për një lloj substance që bën pjesë në kanabinoidë, derivatet e kanabisit, të cilat tregtohen apo gjenden nuk e di saktësisht nëpër dyqane ku shiten në formë karamelesh ose haribosh. Kemi edhe kutinë e substancës që kishte marrë. Këto, nëse përdoren pa kriter dhe në moshat pediatrike, japin pasoja të tilla siç i pamë dje. Ne kemi pasur raste intoksikacionesh nga medikamentet apo lëndë të tjera që përdoren për qëllime të ndryshme, por rast në këtë moshë, veçanërisht 3 vjeç, me këtë lloj substance, nuk kemi pasur. Ky ishte i pari që erdhi në gjendje të rëndë dhe u detyruam ta intubonim fëmijën në shërbimin e reanimacionit të të rriturve. Pasi pamë gjendjen, u konsultuam dhe, duke u nisur nga rrethanat dhe koha, vendosëm ta intubonim për t’i dhënë ndihmën e nevojshme dhe për t’i shpëtuar jetën.”, tha mjeku.
Fatmirësisht sot, vajza e vogël ka dalë nga intubimi. Megjithatë mjeku Rado thotë se përsëri është shpejt për të dhënë mendime përfundimtare mbi ecurinë e saj, “sepse këto substanca kanë efekte afatgjata. Efektet mund të zgjasin nga 6 orë deri në 3 ditë, ndërsa eliminimi i tyre nga organizmi, përmes sistemit renal, pra urinimit, mund të shkojë deri në 15 ditë.”
Rado sqaroi se nuk është bërë e mundur të matet niveli i substancës narkotike në gjakun e fëmijëve, pasi për këtë nevojiten laboratorë të specializuar që aktualisht mungojnë. Megjithatë, mjekët kanë vepruar menjëherë për të ruajtur parametrat jetikë të fëmijës: funksionin e zemrës, frymëmarrjen, qarkullimin e gjakut dhe sistemin nervor.
“Nuk kemi mundur të masim nivelin e këtyre substancave në gjak, dhe kjo e bën akoma më problematike situatën. Për këtë duhen laboratorë të posaçëm që matin nivelin e substancës. Analizat janë marrë, analizat janë diskutuar, por qëllimi kryesor ynë ishte trajtimi i menjëhershëm i fëmijës, pasi ishte në gjendje të rënduar. Problemi është se këto lloj substancash nuk kanë një antidot, pra një kundërveprim që të bllokojë efektin e tyre. Ne trajtojmë simptomatikisht, duke ruajtur parametrat jetikë për fëmijën: funksionin e zemrës, sistemin respirator, qarkullimin e gjakut dhe sistemin nervor.”, tregoi mjeku.
Megjithatë, sipas të dhënave të prindërve, thuhet se vajzat kishin konsumuar nga dy karamele.
