Dhoma e Avokatisë në Shqipërisë është kundër Kodit të ri Penal të propozuar së fundmi nga Ministria e Drejtësisë. Kreu i saj, Maks Haxhia, theksoi gjatë një komunikimi me gazetarët se ai është “represiv” dhe se në disa nene bie ndesh me të drejtat e njeriut.
“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive... Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha Haxhia.
Njësoj si Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Haxhia bie dakord se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri. Problem është procedura penale dhe burimet njerëzore.
“Në këtë Kod nuk kemi asnjë prezencë të paraqitjes së nevojës pse duhej të bëhej ky kod. Nëse do shtrohej problemi që këtë kod e solli nevoja e reformës në drejtësi, kjo nuk qëndron. Në këto vite, zbatimi ka sjellë probleme në procedurën penale, pra në trajtimin e proceseve dhe burimet njerëzore që janë shumë të mangëta”.
Ndër të tjera ai theksoi se askush “nuk e di kush ka qenë në trupën e stafit të ekspertëve që paraqitën këtë kod”.
“Duhet që të jenë të gjithë aktorët e drejtësisë. Kodi Penal nuk mund të riparohet në këtë mënyrë siç bëjnë ata. Vetëm në Shqipëri ndodh që Kodi Penal, ndryshohet, shfuqizohet, nene të caktuara, shtohen me VKM. Kodi është monopol i Ministrisë së Drejtësisë, i kodifikimit. Ka një drejtori që duhet të ketë personalitetet më të larta të jurispuridencës”, tha Haxhia.
Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara”.
“Janë bërë nene që nuk i pranojnë dhe janë tepër diskriminuese siç është neni 537 që bien ndesh me parimet e Dhomave të Avokatisë. Ata që kanë bërë këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin do jetë turp për ata që e kanë bërë, që nuk dinë një gjë që avokatia është një profesion i lirë, i vetëdrejtuar, i vetëadministruara dhe i pavarur. janë katër shtylla që nuk i ka ligji shqiptar si shpikje, por i ka sjellë eksperienca legjislacioni ndërkombëtar”, tha Haxhia.
Ai kërkoi që Kodi i ri Penal të mos kalojë nga Kuvendi.
“Gushtin do punoj për të argumentuar teknikisht qëndrimin e Dhomës për të dalë në përfundim në një material që do ua bëjmë prezent të gjithë forcave politike në parlament duke kundërshtuar me forcë të mos kalojë ky draft, komisionit të ligjeve, organizatës sonë ku Shqipëria bën pjesë në ÇBE që është organizata e Dhomave të Avokatisë së BE-së ku Shqipëria është me status të veçantë”, tha Haxhia, i cili theksoi se mjeti i fundit do të jetë Gjykata Kushtetuese, por shpreson që çështja të mos shkojë deri aty.
Ai theksoi se Kodi i ri duhet t’i nënshtrohet jo vetëm një diskutimi në opinion, por mbi të gjitha me aktorët në fushën e drejtësisë