Ndahet nga jeta ish-ambasadori gjerman Werner Daum në Shqipëri në vitet 1987-1990. Diplomati 82-vjeçar, i cili ndodhej në Tiranë, u gjet i pajetë në dhomën e tij të hotelit.
Daum ishte pjesë e aktivitetit për inaugurimin e shtatores së dëshmorit të demokracisë Josif Budo në Kavajë.
Gjatë një interviste në media ditët e fundit, Daum rrëfeu me emocion angazhimin e tij të jashtëzakonshëm kundër regjimit komunist, duke pranuar se kishte vepruar i vetëm kundër qeverisë së tij për t’i hapur dyert shqiptarëve drejt lirisë.
Si ambasador në Shqipëri nga viti 1987 deri në 1990, Daum hapi dyert e ambasadës gjermane për shqiptarët që kërkonin shpresë dhe liri, duke sfiduar urdhrat e qeverisë së tij dhe duke u bërë një mbështetje e fuqishme për popullin shqiptar në një nga periudhat më të vështira të historisë së tij.