Hamasi dorëzoi të enjten trupat e foshnjës izraelite Kfir Bibas dhe vëllait të tij katërvjeçar Ariel, dy pengjet më të vegjël në moshë të marrë nga Hamasi në sulmin e 7 tetorit 2023 dhe ndër simbolet më të fuqishme të traumës së shkaktuar atë ditë. Automjetet e Kryqit të Kuq u larguan nga vendi i dorëzimit në Rripin e Gazës me katër arkivole të zeza që ishin vendosur në një skenë.
Secili prej arkivoleve kishte një fotografi të vogël të pengjeve. Hamasi dorëzoi trupat e dy djemve dhe nënës së tyre Shiri Bibas, së bashku me atë të një pengu të katërt, Oded Lifschitz, sipas marrëveshjes së armëpushimit të Gazës të arritur muajin e kaluar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë të shkurtër video se e enjtja do të ishte “një ditë shumë e vështirë për shtetin e Izraelit. Një ditë shqetësuese, një ditë pikëllimi”. Kfir Bibas ishte nëntë muajsh kur familja Bibas, përfshirë babain e tyre Yarden, u rrëmbye në Kibbutzin Nir Oz, një nga një varg komunitetesh pranë Gazës që u sulmuan nga militantët e Hamasit më 7 tetor.
Hamasi tha në nëntor 2023 se djemtë dhe nëna e tyre ishin vrarë në një sulm ajror izraelit, por vdekja e tyre nuk u konfirmua kurrë nga autoritetet izraelite e madje edhe në momentet e fundit shumëkush refuzonte të pranonte se ata kishin vdekur.
Babai, Yarden Bibas u kthye në një shkëmbim të mëparshëm pengjesh këtë muaj. Por familja tha këtë javë se “vuajtjet e tyre nuk kanë përfunduar” derisa të marrin konfirmimin përfundimtar të asaj që ka ndodhur me djemtë dhe nënën e tyre. Ndërsa pengu i katërt i pajetë, Lifshitz, ishte 83 vjec kur u rrëmbye nga kibutzi Nir Oz. Gruaja e tij, Yocheved, 85 vjeç në atë kohë, u kap me të po u lirua dy javë më vonë, së bashku me një grua tjetër të moshuar.
Dorëzimi shënon kthimin e parë të trupave të vdekur gjatë marrëveshjes aktuale dhe Izraeli nuk pritet të konfirmojë identitetin e tyre derisa të kenë përfunduar analizat e plota të ADN-së.