67c1a02503a2agrree

Në të gjithë Greqinë janë zhvilluar protesta për të përkujtuar dyvjetorin e tragjedisë hekurudhore të 28 shkurtit 2023, ku humbën jetën 57 persona, mes tyre edhe gjashtë shqiptarë. Përplasja fatale mes dy trenave në afërsi të Larisës vazhdon të mbetet një plagë e hapur për familjarët e viktimave dhe opinionin publik, të cilët kërkojnë ende drejtësi për të përgjegjshmit e ngjarjes.

Për të shprehur revoltën dhe kërkesën për ndëshkimin e fajtorëve, protestat janë organizuar në të gjithë vendin. Familjarët e viktimave, shoqatat e të drejtave të njeriut dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshet kryesore, duke kërkuar transparencë dhe përfundimin e hetimeve mbi aksidentin tragjik. Si shenjë solidariteti, një numër i madh dyqanesh, hotelesh dhe biznesesh kanë mbyllur dyert për disa orë.

Përkujtimi i tragjedisë është bërë edhe në Kuvendin grek, ku kryetari Nikitas Kaklamanis mbajti një fjalim përvjetor, ndërsa deputetët respektuan një minutë heshtje në nder të jetëve të humbura.

Në Athinë, protesta u mbajt në sheshin Sintagma duke nisur nga ora 11:00, ndërsa një tubim i ngjashëm u zhvillua edhe në Selanik. Përtej Greqisë, qytetarë grekë dhe aktivistë organizuan protesta edhe në Bruksel, përpara Parlamentit Europian, në Romë pranë stacionit qendror të trenit, si dhe në Londër.

Për shkak të protestave, shërbimi hekurudhor është pezulluar në të gjithë vendin, duke përfshirë linjën periferike të Athinës. Po ashtu, shërbimi i metrosë drejt dhe nga aeroporti i Athinës ka qenë i ndërprerë gjatë gjithë ditës. Ndërkohë, shumë fluturime janë anuluar ose shtyrë, përveç atyre të emergjencave shëndetësore dhe udhëtimeve zyrtare të liderëve shtetërorë.

Një gjest solidariteti ka ardhur nga Sindikata e Taksistëve të Atikës (SATA), e cila ka njoftuar se do të transportojë falas qytetarët që duan të marrin pjesë në protestë.

Megjithatë, tubimi në Athinë është tensionuar kur disa protestues të maskuar kanë hedhur bomba molotov në drejtim të Kuvendit, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të rendit. Pavarësisht incidenteve, demonstratat mbeten një kujtesë e fortë se pas dy vitesh, familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë përgjigje dhe drejtësi për tragjedinë që tronditi Greqinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights