Google ka prezantuar një modalitet të ri Inteligjence Artificiale në motorin e tij të kërkimit. Kjo risi e gjigandit të teknologjisë synon që t’u ofrojë përdoruesve mundësi më të lehta dhe të shpejta të kërkimit të informacionit.
Google synon që të konkurrojë ChatGPT dhe shërbime të tjera të Inteligjencës Artificiale që kërcënojnë dominimin e kërkimit të informacionit.
Kompania prezantoi ndryshimin e saj në motorët e kërkimit gjatë konferencës vjetore që Google zhvilloi në Mountain View, Kaliforni. Ky ndryshim u bë i disponueshëm fillimisht në SHBA dhe pritet të zgjerohet në tregje të tjera në vazhdim.
Sundar Pichai, CEO i Alphabet (kompania mëmë e Google), tha se integrimi i chatbot-it Gemini në kërkim shënon një fazë të re të kalimit në platformën e Inteligjencës Artificiale. Me aftësi më të avancuara për kërkimin e informacionit në mënyrë të saktë dhe të shpejtë, përdoruesit mund të marrin përgjigje edhe për pyetjet më komplekse.
Përveç kësaj, Google njoftoi zhvillimin e syzeve të reja inteligjente, në bashkëpunim me shitësit e syzeve Warby Parker dhe Gentle Monster. Këto syze do të përmbajnë kamerë, mikrofon dhe altoparlantë, të cilat dhe pritet të konkurrojnë syzet inteligjente të Meta në bashkëpunim me Ray-Ban. Këto syze pritet që të prezantohen dhe të dalin në treg vitin e kaluar.

Analistët e industrisë e shohin këtë hap si një përpjekje të Google për të integruar më tepër Inteligjencën Artificiale në produktet e saj, duke lejuar përdoruesit të bëjnë pyetje më të komplikuara dhe të marrin përgjigje më të avancuara. Duke ngushtuar kështu nevojën për të kaluar nëpër shumë faqe interneti, për të grumbulluar gjithë gamën e informacionit që nevojitet.