Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ishte pjesë e tryezës së diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.
Ai deklaroi se reforma në drejtësi ka dhënë rezultatet e pritura dhe ka ndikuar ndjeshëm në rrugën e integrimit të vendit në BE. Vlerësoi po ashtu se kjo reformë ka krijuar një balancë mes pavarësisë dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, por shtoi se nevojitet ende shumë punë për zbatimin e plotë të saj.
“Dua që gotën ta shikoj gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh se duhet të ruajmë këto hapa pozitivë që janë bërë tashmë“, u shpreh ambasadori.
Gonzato foli edhe për ecurinë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) në vlerësimin e prokurorëve sipas performancës, ndërsa theksoi se kriteret si efikasiteti, etika dhe aftësitë menaxheriale duhet të shqyrtohen në mënyrë të strukturuar.
Ai tha se përgjegjësia për llogaridhënie nuk i takon vetëm KLP-së, por edhe institucioneve si ILD dhe Shkolla e Magjistraturës, të cilat po forcojnë bashkëpunimin për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë.