Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi sot, 17 qershor, në Forumin e Prokurorëve të Ballkanit Perëndimor se duhet një bashkëpunim sa më i madh gjyqësor mes vendeve të rajonit.
Sipas tij, në Shqipëri mbetet thelbësor identifikimi i të ardhurave nga krimi. Theksoi se puna e organeve të drejtësisë ndikon drejtpërdrejt te procesi i negociatave me Bashkimin Evropian.
“Ne e njohim angazhimin e vendeve në rajon për të luftuar krimin e organizuar, që është i dëmshëm për kohezion social dhe gërryen besimin e qytetarëve tek institucionet. Rrjetet kriminale përdorin edhe institucionet për të zgjeruar ndikimin e tyre. Duhet të punojmë sëbashku. Forcimi i sundimit të ligjit është sfidë thelbësore për vendet që duan të anëtarësohen në BE. Puna juaj ndikon direkt në këtë proces!
Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqëri. Natyra në zhvillim e krimit ndërkombëtar kërkon vigjilencë dhe nisma konkrete si dhe burime financiare e njerëzore. Identifikimi i të ardhurave nga krimi është thelbësor në Shqipëri, si dhe rimarrja e aseteve.
Duhet bashkëpunim gjyqësor më tej dhe përdorimi i të gjitha mjeteve në dispozicion, mbështetja e ofruar nga ky projekt për Ballkanin Perëndimor, ka efekte mjaft praktike përveç kontributeve të vlefshme që prokurorët japin. Përmes projektit, vendet kanë akses në burimet dhe praktikat më të mira të Eurojust. BE qartësisht përmes Eurojust dhe delegacioneve do vazhdojë t’ju mbështesë në punën tuaj”, deklaroi Gonzato.
Mbështetjen në procesin e negociatave me BE, e garantoi në këtë forum,Presidenti i Eurojust.
“Mbështesim rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe do ishte kënaqësi e madhe nëse do bëheshit vend anëtar“, theksoi Michael Schmid.
Forumi Konsultativ i Prokurorëve të Përgjithshëm dhe Specialë të Ballkanit Perëndimor, synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet prokurorive të rajonit për adresimin e sfidave ligjore dhe krimeve të organizuara.