Ministri i propozuar i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu deklaroi sot se, mazhoranca ishte përgatitur për debat deri në agim, por opozita shfaqi shenja dhune verbale, madje dhe fizike.
Në një prononcim për gazetarët, pas seancë ssë Kuvendit, ku u miratua programi i qeverisë për 4 vitet e ardhshme dhe përbërja e Këshillit të Ministrave, Gogu u shpreh se, “Kuvendi i takon opozitës. Ne kemi ardhur për shkak se kemi detyrimin ndaj shqiptarëve që kanë votuar këtë Kuvend”.
Ai theksoi se, “debati parlamentar është në qendër të Kuvendit dhe ne do ta sigurojmë që opozita të ketë të gjithë hapësirat e saj parlamentare demokratike”.
“Nëse ju jeni duke quajtur që veprim demokratik i opozitës është të qëllojë duke fluturuar Kushtetuta, duke shfaqur shenja dhune verbale, madje dhe fizike, po ju them që ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm për të qenë të pranishëm në skena të dhunës parlamentare sepse ky është parlamenti i shqiptarëve të cilët duan të hyjnë në Evropë”, u shpreh Gogu.
Gogu theksoi se, “ky është parlamenti i shqiptarëve që duan të shohin Evropën në mes të Kuvendit. Ky është parlamenti që duhet të ndahet nga radikalizmi politik. Ky është parlamenti që duhet të ndahet nga çdo shenjë dhune verbale.
“Ne ishim aty, kthejuni dhe njëherë filmimeve nëse nuk i kujtoni, është opozita që ka ndërprerë paraqitjen e programit që shqiptarët nevojitet të dëgjonin”, tha Gogu.
Ai u shpreh se, “skenari i mazhorancës ishte që ne të qëndronim deri në agimin e ditës së nesërme sepse debati parlamentar meritonte vëmendjen tonë, por kur kolegët tanë nuk do të jenë të gatshëm që të vijnë me forcën e mendimit, por të vijnë me forcën e muskujve dhe të vijnë me forcën fizike aty dhe t’i kanosen kryeministrit të vendit dhe të gjithë anëtarëve të qeverisë dhe të gjithë kolegëve të tyre, kjo është e pafalshëm. Ne nuk do të jemi as të pranishëm”.