Katër persona janë vënë në pranga si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që vepronte në Fier e Lushnje për trafikimin e armëve si dhe prodhimin, shitjen dhe kultivimin e lëndëve narkotike.
Përfaqësues të prokurorisë dhe policisë së Fierit bënë me dije se hetimet për këtë grup zgjatën për gjashtë muaj.
Përveç Fierit e Lushnjes, grupi vepronte dhe jashtë këtij qarku, në Durrës, Shkodër e Kukës. Siç bëri me dije kreu i policisë së Fierit, Skënder Hita, në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në Morinë.
Mësohet se më 2 Qershor janë zhvilluar 13 kontrolle në ambiente banimi, automjete, magazina dhe sipërfaqe toke ku janë gjetur municione, armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Më saktësisht janë sekuestruar: 4 mijë fidanë kanabis, 5 mijë fara kanabis, tre armë zjarri automatike, dy armë gjahu, një pistoletë, 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy radio si të policisë, dy uniforma policie, një maskë plastike me paruke, tre automjete dhe dhjetë celularë.
Sa i përket të arrestuarve, ata janë persona me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe me precedentë të mëparshëm në fushën e lëndëve narkotike.
Të arrestuarit janë:B Buzi – 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
N Osma – 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;
Q Shurdhi – 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;
B Buzi – 33 vjeç, banues në Divjakë.
Ndërkohë u procedua në gjendje të lirë një 51-vjeçar nga fshati Peshtan i Fierit, i arrestuar më parë për kundërshtim të efektivëve të policisë.
“Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, për t’i shitur më pas tek individë të përfshirë në veprimtari kriminale. B.B dhe Q. Sh. ishin organizatorët e grupit. Anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve, sqaroi Hita.
Kapoja e grupit kiminal ishte Boran Buzi, i cili organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit.
Autoritetet thonë se operacioni i koduar “Procedimi” është në vijim për të identifikuar dhe kapur personat e tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale.