Vijon edhe sot gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje, është duke u pyetur nga gjykatësit e çështjes.
Kujtojmë se një ditë më parë ai dëshmoi se komandantët lokalë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin ndikim mbi ish-presidentin Hashim Thaçi.
Vëzhgimet e tij e çuan në përfundimin se “Hashim Thaçi nuk kishte autoritet të nënshkruante marrëveshjen pa miratimin e komandantëve rajonalë”.
Duke folur për strukturën e UÇK-së, Williams e përshkroi atë si ad hoc dhe të decentralizuar, me ndikim të madh të komandantëve vendorë dhe “peshë ideologjike” të veprimtarit politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi.
Williams, ish-këshilltar ligjor pro bono i delegacionit kosovar në bisedimet e Rambujesë gjatë periudhës shkurt–mars të vitit 1999, është dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, pas ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin.
James Rubin, gjatë dëshmisë së tij treditore, tha se Hashim Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.
Sipas tij, ai duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.
Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.