Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për dhunën në familjen mbretërore. Trupa gjykuese ka dënuar me 8 muaj burg Princ Lekën, e konvertuar në 16 muaj shërbim prove.
Ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Elia Zaharia ka marrë pafajësi për akuzën e “dhunës në familje”. Gjithashtu vendimi është dhënë edhe për babain e saj, Gjergj Zaharian, i cili është dënuar me 1 vit e 40 ditë shërbim prove.
Sjellim në vëmendje se Princ Leka edhe Elia Zaharia kanë bërë kallëzim ndaj njëri-tjetrit për dhunë në Komisariatin nr.1 në kryeqytet në Mars të 2024-ës.
Holli i rezidencës mbretërore në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë u kthye të martën e 5 Marsit në një skenë dhune mes Princ Lekës dhe ish-bashkëshortes së tij Elia Zaharia.
Ngjarja u bë publike për të gjithë kur u përhapën në rrjetet sociale disa pamje të filmuara nga vetë Princ Leka ku dëgjohej teksa Elia Zaharia akuzonte Princin se ka dhunuar të atin e saj.
Një gjë e tillë kundërshtohej nga Princi, i cili nxitonte për t’u futur në ashensor në mënyrë që të largohej nga banesa.
Princ Leka pretendonte në kallëzim se ishte dhunuar fillimsht nga babai i ish-bashkëshortes, Gjergj Zaharia dhe është goditur me një statujë druri dhe më pas nga ish-gruaja.
Një fakt i tillë është mohuar nga ish-vjehrri i Princit dhe Elia Zaharia, të cilët pretenduan para hetuesve se e kundërta kishte ndodhur, pra ata ishin dhunuar.
Sjellim në vëmendje se Princ Leka Zogu dhe Elia Zahariai dhanë fund martesës së tyre pas 8 vitesh. Vendimi u mor në datën 24 Prill të 2024-ës nga Gjykata e Tiranës.