1741357477 rubensaraiva

Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka dërguar për gjykim Ruben Saraivan, shtetas portugez, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin më 19 prill 2023. Gjyqtari Renis Sheshi miratoi kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj për ta kaluar çështjen në gjykim, ndërsa i pandehuri Saraiva u përball me akuzat për “Vrasje me paramendim, e kryer për gjakmarrje” dhe “Armbajtja pa leje”.

Në seancën gjyqësore, që zgjati rreth 3 orë, avokati i Ruben Saraivës kërkoi pushimin e çështjes, duke pretenduar se nuk kishte prova që e implikonin klientin e tij në vrasjen e Nikulaj. Ai theksoi se prova që ndodhen në dosje nuk vërtetojnë fajësinë e klientit të tij. Pavarësisht kërkesës për pushim, gjykata vendosi ta kalojë çështjen në gjykim, ku do të shqyrtohet nëse Ruben Saraiva është autor i ngjarjes ose jo.

Ardian Nikulaj u ekzekutua në hotelin e tij në Shëngjin si pjesë e një konflikti të gjatë hakmarrjeje midis familjes Nikulaj dhe fisit Lekstakaj, që ka shkaktuar më parë viktima. Vrasja e Nikulaj u dyshua të ishte pjesë e këtij zinxhiri hakmarrjeje.

Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023 nga Maroku, pas një kërkese të autoriteteve shqiptare. Që nga ekstradimi, ai ka qëndruar në paraburgim dhe ka mohuar lidhjet e tij me vrasjen e Nikulaj. Për ngjarjen janë të akuzuar edhe katër shtetas britanikë, që ndihmuan në krim, dhe Edmond Haxhia, i dyshuar si organizatori dhe porositësi i vrasjes për motive gjakmarrjeje. Ekstradimi i britanikëve pritet të ndodhë brenda pak javësh për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights