Gjykata e Lartë do të shqyrtojë nesër, më 11 mars, rekursin e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji kundër dënimit me 1 vit burg që ai ka marrë për dosjen e njohur “Babale”. Seanca është caktuar të mbahet në orën 10:00. Salianji ka apeluar dënimin e dhënë nga Apeli, i cili refuzoi kërkesën e tij për pezullimin e dënimit më 15 tetor 2024.
Në këtë dosje, Salianji akuzohet për kallëzim të rremë në lidhje me një denoncim të bërë për Agron Xhafën, vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, ku ai publikoi një audio-përgjim ku supozohej se Agron Xhafa ishte i përfshirë në një rrjet kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
Salianji është dënuar së bashku me Albert Veliun, i cili pritet të vuajë 10 muaj burg, dhe gazetarin Jetmir Olldashi, që do të kryejë 100 orë punë komunitare. Çështja ka qenë shumë e diskutuar, pasi përgjimi që u publikua nga Salianji nxiti shumë reagime dhe dyshime, por ekspertiza nuk arriti të vërtetonte me siguri identitetin e zërit të përfshirë.