Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin nr. 06, datë 13.02.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke urdhëruar rigjykimin e çështjes ndaj ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, me një tjetër trup gjykues në të njëjtën gjykatë.
Dedja ishte dënuar më herët me 6 muaj burg për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, dënim që iu konvertua në 1 vit shërbim prove.
SPAK kishte kërkuar dënimin me 1 vit burg, me akuzën se ai kishte fshehur një apartament në formularin e vetëdeklarimit, si dhe kishte bërë deklarim të rremë për burimin e financimit të tij, një hua prej 10 mijë eurosh nga kunati, e cila sipas hetimeve, nuk justifikohej financiarisht.
Në prill 2021, ndaj pasurisë së padeklaruar, një apartament prej 146 m² në Tiranë, ishte vendosur masë sekuestroje.
Bashkim Dedja ishte rasti i parë i një ish-gjyqtari të shkarkuar nga procesi i vettingut që dënohej nga GJKKO.
Ai e kaloi fazën e parë të vettingut, por u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për mosjustifikim të pasurisë, konkretisht një apartament në Durrës.