Genc Gjokutaj, avokati i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëron një luftë brenda selisë blu.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gjokutaj shkruan se “armiqtë” e dikurshëm të PD-së, po përgatiten të riasgjesojnë partinë dhe kreun e saj, Sali Berisha.
Ai akuzon se disa prej tyre janë të paguar nga Edi Rama.
“Sot, armiqtë e dikurshëm të PD-së, të ‘penduar’ por të paguar dje dhe sot nga Rama & Co, po përgatiten të riasgjesojnë PD-në dhe Berishën! Disa prej tyre, edhe deputetë të PD-së nesër, të klonuar nga Rama. Janë shfaqur me emër dhe mbiemër ndaj, beteja me ta sot është më e ashpër, sepse do të luftohet fizikisht dhe jo online si dje! Nuk mund të largojmë shpëtimtarin tonë, por atentatorët ndaj tij! Qofshin burra, gra, gay apo lesbike! Lufta është shpallur. Bujrum”, shkruan ai në Facebook.
Pas kësaj deklarate, reagoi deputetja Flutura Açka, e cila shprehet se ka mbetur pa fjalë. Ajo ironizon duke shkruar se Partia Demokratike është kthyer në një “tokë të xanun”, ndërsa fjalët e Gjokutajt i sheh si një kërcënim publik.
“Ky është kërcënim publik! A është ky qëndrim zyrtar i PD-së? Të gjithë luftën duket se e kanë me Gazin dhe shokët é tij. Po partinë prej Gazit, dhe një shoqe të Gazit, e keni ore të uruar! PD, tokë e xanun! Demokratë të të gjitha halleve, çduroni!T’ju ketë nisur java mbarë”, shkroi Açka.
Flutura Açka hyri në Kuvend si deputete e Partisë Demokratike, por në korrik të vitit 2024 njoftoi largimin nga grupi parlamentar i selisë blu. Vendimin e mori si një shenjë proteste dhe pakënaqësie sa i përket mënyrës si opozita po zhvillonte veprimtarinë e saj.