Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, së bashku me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe me deputetin Florenc Spaho u ndalën në një bashkëbisedim me banorë të lagjes “Çlirimi”, në Elbasan.
Gjiknuri, njëherësh dhe drejtues politik, theksoi se, fushata e PS-së është një fushatë konkrete, me punë të bëra dhe projekte për të ardhmen.
“Ka shumë arsye që duhet që Gledi të dalë mirë. Së pari ne na duhet zhvillimi i Elbasanit, por zhvillimi i Elbasanit është i lidhur me fatin e qeverisjes së Partisë Socialiste, se këtu mund të vijnë shumë kandidatë dhe të hapin thesin e premtimeve. Kandidati kundërshtar hapi thesin, jo të premtimeve, por të fantazive, do bëjë Disneyland në Elbasan. Dy ka gjithë bota, i treti do të vij në Elbasan.
Një është në Florida, një në Paris dhe i treti do të vij në Elbasan. Por unë e di se populli nuk i ha këto, po tani shqiptarët kanë parë botën, kanë lëvizur, e dinë mirë si është biznesi, e dinë mirë se si bëhen gjërat, kështu që kam frikë se ai kundërshtari ka mbetur tek niveli i mashtrimit shumë të dobët që nuk e lartëson figurën e tij, pavarësisht se ka nivel të lartë në partinë e Sali Berishës”, tha ai.
Duke bërë krahasimin e premtimeve imagjinare të alternativës përballë, Gjiknuri theksoi se sa i rëndësishëm është zhvillimi dhe bashkëpunimi qeveri-bashki.
“Pa binomin bashki-qeveri politikisht, zhvillimi vihet në pikëpyetje. Pse? Sa herë që PD-ja ose opozita merr një bashki, ndërpret komunikimin me qeverinë, fillojnë të gjitha projektet vihen në pikëpyetje. Bashkia e Elbasanit nuk i ka mundësitë financiare, që me taksat e qytetarëve t’i bëjë të mundura të gjitha këto që u thanë këtu.
Patjetër që detyra e kryetarit të bashkisë është që të mirëadministrojë fondet, të bëjë projekte, të bëjë këto ndërhyrjet e vogla nëpër lagje, nëpër fshatra, nëpër periferi, asflatime lagjesh që janë detyrë direkte e bashkisë, por projektet e mëdha si ujësjellës, kanalizime, ato që u folën për rrugët, rehabilitimin e Lagjes së Kalasë, “Auto Moto Parku”, ajo shëtitorja që duhet ta ketë Elbasani, të gjitha këto bëhen vetëm me mbështetjen e qeverisë.
Vota për Gledin është dhe votë për vazhdimin e atij projekti, kjo është shumë konkrete. Kush nuk do ta dojë të vazhdojnë investimet në rrjetin e ujësllës-kanalizimeve?! Vetëm këtë në bashkëpunim edhe me KfW janë 16 milionë euro të tjera që do të investohen në bashkinë e Elbasanit. Pse duhet ti vëmë në pikëpyetje ne këto? Se ka mbetur njëri pa punë, një aty tek opozita dhe do të marri bashkinë? Jo, qytetarët e Elbasanit do të zgjedhin infrastrukturën e tyre, të ardhmen e qytetit të tyre, prandaj them që vota më 14 maj vlen edhe për këtë dhe shumë e shumë gjëra të tjera”, deklaroi Gjiknuri.
Numri dy i socialistëve vijoi më tej duke shtuar se binomi Berisha-Meta nuk mund të gjejnë shpëtimin e tyre në Elbasan, sepse elbasanasit janë qytetarë të zgjuar dhe dinë të bëjnë dallimin.
“Ka kapur ai studio kombëtare se qenka nënkryetar i PD-së ky lejtnanti i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Se ashtu është lejtnant, numri 2 i tyre, se ata janë baballarët e vërtetë në politikë: Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe ai nuk do ta pranojë këtu, thotë se jam këtu për qytetarët e Elbasanit. Këtu e heq “atë lëvozhgën politike””, u shpreh më tej Gjiknuri.
Gjiknuri siguroi se, vëmendja kryesore e tij si drejtues politik, do të jetë pikërisht ndaj personave të papërgjegjshëm në administratë, të cilët lodhin e mundojnë qytetarët duke mos u dhënë shërbimin e duhur.
Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja u kujtoi banorëve të lagjes “Çlirimi” kohën kur mbetjet urbane digjeshin fare pranë banesave të tyre. Ai shtoi se inceneratori shpëtoi banorët e Elbasanit nga ndotja helmuese, ndërkohë renditi edhe projektet e tjera që e presin Elbasanin 4 vitet e ardhshme.
“Ju e mbani mend këtu, nuk hapnit dot dritaret nga fusha e mbetjeve, dhe sot ne aty po bëjmë një nga investimet kryesore të qeverisë shqiptare, një shëtitore gjigande. Me mbarimin e Auto Moto Parkut ai aty ka për të qenë poli kryesor i zhvillimit ekonomik të Elbasanit dhe Shqipërisë së Mesme. Përvec turistëve se patjetër që do vijnë,do vijnë biznese, do vijë ekonomia, atë që duam më shumë,ekonominë, të kemi ekonominë për vendin tonë, të kemi ekonomi për Elbasanin. Ne po bëjmë modelin më të mirë të sistemimit urban të lagjeve tona. Po bëjmë projekte shumë të mira për Elbasanin, duam t’a zhvillojmë, duam të bëjmë rrugët, të zgjidhim problemet infrastruktutore, ndaj kemi bërë riasfaltimin e “Dhimitër Bekës”, ” Naum Panxhi”, tha Llatja.
Kryebashkiaku Llatja nënvizoi se një vëmendje i është kushtuar dhe shkollave, kopshteve dhe çerdheve.
“Bashkë me Damianin dhe me Kryeministrin do të punojmë çdo ditë për bajpasin e Elbasanit. Është në fazën e porjkektimit, ndërsa do të sigurohen edhe fondet. Do të vijohet dhe me Korridorin 8 – të . Ne po mbështesim shtresat në nevojë, ne po i qëndrojmë pranë komuniteteve në qytet dhe në fshat”, tha Llatja.
Deputeti Florenc Spaho teksa bëri thirrje për mbështetje për Gledin dhe ekipin e këshilltarëve socialist, theksoi se Gledi i duhet Elbasanit për të bërë të mundur zhvillimin e mëtejshëm të tij.

